
Një monument 3.5 metra i lartë në nder të Ratko Mlladiçit është ngritur në qytetin boshnjak Kalinovik. Kjo ka shkaktuar zemërim te aktivistët e të drejtave të njeriut dhe familjarët e viktimave të luftës. Lojtari serb i hendbollit, Vlada Mandiç, i cili e ka vendosur këtë monument, thotë se Mlladiç është një hero serb.
Aleksandra Letiç nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut nga serbët e Bosnjes thotë se ky nderim i Mlladiçit tregon "imazhin aktual të shoqërisë në të cilën jetojmë" dhe sugjeron që "mosmarrëveshjet me të kaluarën as që kanë filluar".
"Muralja e Mlladiçit nuk vjen si një surprizë, sepse jetojmë në një shoqëri në të cilën kriminelët e luftës glorifikohen në të gjitha anët dhe monumentet e ngritura në vende të ndryshme, i viktimizojnë akoma më shumë viktimat", thotë Letiç.
Kryetarja e bashkisë së Kalinovikut, Milena Komlenoviç, thotë për BIRN se asnjë leje nuk është kërkuar për monumentin.
“Askush nuk kërkoi leje. Askush nuk na kontaktoi “, shprehet ajo.
Ndërsa Kemal Pervan, president i Shoqatës Kalinovik 92, që përfaqëson viktimat e luftës, thotë se monumenti i Mlladiçit tregon se, edhe pse kanë kaluar shumë vite që nga mbarimi i luftës, ende nuk janë krijuar mundësitë që boshnjakët që ikën për shkak të luftës të kthehen në zonën e Kalinovikut.
"Nuk ka kthim për boshnjakët. Pesë familje janë kthyer deri më tani. Ky monument gjithashtu përfaqëson një mënyrë për të penguar procesin e kthimit”, thotë Pervan.
Gjykata e Hagës në nëntor 2017 e dënoi Mlladiç me burgim të përjetshëm për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, terrorizimin e popullatës civile të Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
I ashtuquajturi "kasapi i Bosnjes" u gjet gjithashtu fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm për persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në disa komuna në të gjithë vendin, përfshirë Kalinovikun.
Vendimi është apeluar si nga akuza, edhe nga pala mbrojtëse. Gjykimi përfundimtar pritet të jepet vitin e ardhshëm.



