
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, lind pyetja: sa të pasionuar janë shqiptarët pas leximit?
E ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, poetja dhe pedagogia Helena Halilaj foli për marrëdhënien e shqiptarëve me librin dhe rëndësinë që ai ka në formimin intelektual e shpirtëror të individit, përtej përdorimit si zbukurim shtëpie.

Ajo theksoi se për të, poezia dhe libri janë dy elementë thelbësorë për rritjen shpirtërore dhe mendore të çdo njeriu.
Unë kam pasur gjithmonë një lidhje të veçantë me librin, sidomos me poezinë. Asnjëherë nuk e kam refuzuar ftesën për të qenë pjesë e aktiviteteve që promovojnë leximin. E kam parë librin si pjesë të pandarë të jetës sime, dhe këtë përpjekje mundohem ta përcjell edhe tek të tjerët.
Poezia është ndjesi, është jetë. Ajo i përmbledh të gjitha nuancat e ndjenjave: dashurinë, optimizmin, zhgënjimin. Përmes saj, si edhe përmes librit në përgjithësi, kemi historinë, shkencën, letërsinë, gjeografinë – të gjitha.
Duke u ndalur tek të rinjtë, Halilaj shprehu shqetësimin se interesi për leximin është në rënie.
Por ajo pohoi shtoi gjithashtu se janë gratë dhe vajzat që lexojnë më shumë.
Duket sikur të rinjtë janë larguar nga libri. Në rrjetet sociale rrallë sheh studentë me libra. Kishim një afrim të shkurtër gjatë kohës së pandemisë, por ai moment kaloi shpejt. Libri nuk është për t’u vendosur në një kënd si dekor, por për të mbushur mendjen dhe zemrën.
Ka një kategori lexuesish që preferojnë bestseller-at, të tjerë lexojnë romane, letërsi të dhimbshme, apo për të gjetur veten në personazhet që lexojnë. Por në përgjithësi, gratë dhe vajzat janë më të prira të lexojnë letërsi të thellë, ndërsa djemtë më shpesh ndjekin libra motivues apo teknologjikë.
Halilaj përfundoi me një mesazh të drejtpërdrejtë për publikun:
Lexoni, jo për të pasur një bibliotekë që duket bukur në fotografi, por për të ndriçuar mendjen dhe për të ushqyer shpirtin.



