Kryeministri Rama ka folur sot në kuvend për reformën zgjedhore dhe kërkesat e opozitës parlamentare. Rama deklaroi se me opozitën parlamentare duhet arritur një konsensus, ndërsa për opozitën jashtëparlamentare, kreu i qeverisë deklaroi se ata nuk mund t’i japin ultimatume qeverisë.
Rama gjithashtu i ‘kujtoi’ deputetes Rudina Hajdari, se ajo vetë e ka firmosur marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik.
“Do përpiqemi deri në fund të krijojmë një konsensus, ku mbase çdo palë do duhet të pajtohet me faktin se nuk mund të marrë gjithçka. Ata të tjerët nuk janë këtu dhe kanë një vetëndierjetë habitshme. Dërgjojnë dhe ultimatume se çfarë duhet të bëjë parlamenti.
Nuk është nevoja për të vazhduar në provokime, qoftë nga jashtë apo brenda. Atyre jashtë u them, nuk keni asnjë tagër t’i jepni urdhra këtij kuvendi dhe ne që jemi këtu sot, kryetarit të kuvendit i ishte drejtuar një urdhër nga as më shumë e as më pak, nga sekretari i përgjithshëm i ‘forcave çlirimtare’ (Gazmend Bardhi, PD).
Ne sot jemi në një proces dhe mendojmë që ju zonja Hajdari, patjetër dhe kolegët tuaj, ju takon që një reflektim ta bëni për faktin që ne e kemi respektuar jo vetëm me fjalë, nismën tuaj. Do thonit ju, skishit mundësi të bënit ndryshe, mbase..Por duhet të reflektoni se ky është një proces nga ku konsensusi do të prodhojë një rezultat dhe çdo palë duhet të bëjë koncesionet e veta. Të vazhdojmë qetësisht dhe të diskutojmë hapur”, tha Rama.
Rama tha se reforma zgjedhore duhet ta mbyllin me dinjitet institucional dhe të dalë me një frymë konsensusi politik.
“Nëse ju me thoni që ne duam listat e hapura ne duam kualicione edhe ne duam që në komisione PD dhe Lulzin Basha mos kenë njerëz atëhere po më thoni të tmerroj Lulin dhe mos kemi mundësinë për të kthyer lepurin në një luan. Sot në Shqipërinë e viti 2020 të thuash që administrimi i më i sigurt zgjedhor është me parti politike është absurde. Jemi këtu për të dalë me dinjitet institucional nga kjo histori dhe për të dalë me një frymë konsensusi politik të mirëkuptuar nga populli shqiptar në radhë të parë. Ne nuk jemi për të marrë urdhra nga PD dhe as nga ju, jemi këtu për të bërë tonat, në mënyrë që produkti të mos jetë i njëanshëm. Produkti aktual ka shumë njëanshmëri e pranoj, në këto kushte opozita është e fragmentuar. Le ta bëjmë këtë proces me dinjitet, unë nuk marr urdhra nga Luli, jeni këtu për të mësuar jo të shantazhoni,” u shpreh Rama.
10:33h- Drafti për Zgjedhoren/ Murrizi: Nga opozita nuk do merrni asnjë votë
Në nisje të seancës, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi njoftoi se Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore i ka mbaruar mandati.
Ai tha se ky komision nuk ka dorëzuar ndonjë produkt, por njoftoi se ka qenë deputeti Damian Gjiknuri ai që ka depozituar një projektligj për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Deputeti Myslim Murrizi nga foltorja e Kuvendit është shprehur se drafti i dorëzuar nga Damian Gjiknuri është një trafikim dhe nuk do të kalojë në seancë plenare. Murrizi tha si ai draft është një pazar kundër vullnetit të mbi 85% të qytetarëve.
“Nga njoftimet e juaja në mënyrë të njëanëshme pa u mbledhur Komisioni i Reformës Zgjedhore është dorëzuar një draft i fshehtë. Zoti Balla, ti bashkë me Ramën mos tu shkojë mendja se do kaloni ndonjë ligj për trafikimin e votës dhe të vijoni me këtë çorbë dijeni se do ua hedhin shqiptarët në fytyrë. Lereni këto, se nuk do merrni asnjë votë nga ne. Ndalni pazarin e pistë kundër vullnetit të mbi 85% të qytetarëve shqiptarëve”, tha Murrizi.
09:30h- Kuvendi mblidhet në ora 10, pritet zgjedhja e kreut të ri të KLSH
Sot prej orës 10:00 do të nisë seanca plenare, në të cilën pritet që të ketë diskutime të forta mes deputetëve. Sipas rendit të ditës, bëhet me dije se titullarët e disa institucioneve të pavarura do të lexojë raportin vjetor e më pas do të ketë diskutime për disa projektligje dhe për dekretet e Presidentit Ilir Meta.
Kuvendi do të zgjedh edhe kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Presidenti ka propozuar Arben Shehun, për këtë pozicion dhe në komisionet parlamentare maxhoranca e ka miratuar.
Deputetët e PS pritet të votojnë pro Shehut sot duke e mandatuar si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi vendimi.
Ndërkohë, në rendin e ditës së seancës së sotme plenare është parashikuar që të votohet, pra të rrëzohet edhe dekreti i presidentit Meta për ligjin për përmirësimin e zonave të biznesit, i cili u kthye për rishqyrtim nga kreu i shtetit. “Dekret i Presidentit të Republikës 11.505, date 08.06.2020 “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 63/2020 “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)””, thuhet në njoftim.
Po ashtu me interes sot pritet edhe se si do të votohet sa i takon draftit anti-KÇK për sekuestrimin e pronave kriminale. Ky projektligj mori dritën jeshile në komisionet parlamentare, ndonëse ndryshimet e propozuara në lidhje me Agjencinë e Konfiskimit të Pasurive u bënë shkak i një debati mes deputetëve socialistë dhe ministrit Lleshaj në Komisionin e Ligjeve.

Rendi i plotë i ditës në seancën plenare
1.Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 25.06.2020; 2. Njoftimi i çështjeve të depozituara në Kuvend për shqyrtim; 3. Raporti vjetor i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2019.; 4. Raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë për vitin 2019; 5. Raporti vjetor i Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2019; 6. Raporti vjetor i Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar për vitin 2019. (PDF)
7.Projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit të Protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë të ratifikuar me ligjin nr. 9733 datë 14.05.2007 në lidhje me përkufizimin e konceptit “Produkte origjinuese” dhe “Metoda e bashkëpunimit administrativ”; 8. Projektligj “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)”; 9. Projektligj “Për pranimin e vendimit II/1 të palëve, që ndryshon “Konventën e Aarhusit për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”, ratifikuar me ligjin nr. 8672, datë 26.10.2000”.
10.Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar””; 11. Dekret i Presidentit të Republikës 11.505, datë 08.06.2020 “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 63/2020 “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”; 12. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.498, datë 04.06.2020, “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”; 13.Njoftimi për miratimin me mirëkuptim të draftprogramit dhe draftkalendarit për periudhën në vijim.



