
Ish-Kryeministri Sali Berisha shkoi sot në selinë blu, i shoqëruar nga deputetet demokratë dhe anëtarë të tjerë të Komisionit të Rithemelimit.
Berisha qëndroi para dyerve të mbyllura të PD në një komunikim me median duke e akuzuar Lulzim Bashën se do ta mbylle karrierën i kyçur në bunker.
Sipas tij, ngjarjet e ndodhura në këtë parti janë të denja për “romanet e Franc Kafkës”.
Për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Lulzim Bashës “nuk i ka mbetur qoftë një grimcë më e vogël e integritetit moral dhe politik”.
“Zonja dhe zotërinj, prej disa ditësh, shqiptarët po përjetojnë, po ndjekin në mënyrë të pabesueshme zhvillime të denja si për romanet e Franc Kafkës, apo të realizmit fantastik të Garcia Markezit nëse duan ti japin sens humori.
Skenat e një njeriu i cili kalon nga skandali në skandal, nga aktet e turpshme në akte të tjera po kaq të turpshme, një njeriu që dëshmon se nuk i ka mbetur qoftë edhe një grimcë e vogël e integritetit moral dhe politik e integritetit qytetar.
A mundet kush të imagjinonte se një ish lider i ri, do të mbyllte karrierën e tij politike në vend të nënshtrimit të verdiktit të 44 mijë anëtarëve të partisë së tij, në blindimin dhe shndërrimin në bunker burg të selisë së PD, bllokimin e saj me fanatizma e ekstremizma të dënueshme.
Unë me këtë rast dua tu sqaroj të sqaroj çdo qytetar e demokrat i këtij vendi, se qëndrimi ynë s’ka të bëjë me një zyrë me një tryezë dhomë karrige apo gjëra të tilla. Kemi te bëjmë me një parim themelor te demokracisë dhe de fakto me një përpjekje te jashtëzakonshme e tejet kriminale për asgjësimin e pluralizmit politik ne Shqiperi. Për shndërrimin e pluralizmit politik ne brava e dyer te blinduara”
Berisha në fjalën e tij ka theksuar sërish se protesta e nesërme e 8 janarit është paqësore dhe i ftoi të gjithë anëtarët e PD-së që të marrin pjesë, në atë që e cilësoi “revolucion paqësor”.
“Ftoj demokratet të marrin pjesë ne një proteste paqësore, në një ngjarje madhe të një revolucioni paqësor. Garantoj të gjithë punonjësit e ndërteses se protestuesit nuk kanë asnjë hatermbetje me ta, të qëndrojnë të qetë. Problemi i vetëm që kanë protestuesit është hapja e dyerve të shtëpisë së tyre dhe çlirimi i saj nga pengu i Ramës që është Lulzim Basha”.



