Ardian Stamo, noter tha në studion e lajmeve të MCN Tv se dokumentet që vijnë nga hipoteka kanë mungesa në informacionet që duhet.
Në paralel ekziston sistemi i dixhitalizuar i ASHK-së dhe sistemi i dixhitaluar i notariatit. Këto dyja ndërveprojnë, akoma jo në sisteme automatike, pavarësisht investimeve që janë bërë. Presim akoma përgjigjen e njeriut, nuk ka përgjigje automatike.
Ne në zyrat e noterisë kemi parë që në dokumentet që vijnë nga hipoteka përgjithësisht, vjen dokumenti, ka kohëzgjatje minimale, por ndonjëherë informacionet që na vijnë të hedhura në dokumentet e titujve të pronësisë nuk janë të plota, nuk janë të sakta. Nuk janë të gjitha informacionet e plotësuara. Kjo nisur shumë edhe nga sistemi bankar. Pjesa më e madhe po e blenë shtëpinë përmes kredive dhe dokumenti i hipotekës, sidomos kartela e pasurisë kërkohet të jetë i plotë.
Ka mungesa në informacionet që hidhen në dokumente.
Nëse ka keqveprim të noterit ai ka përgjegjësinë e vet. Duhet parë a ka përgjegjësi noteri apo jo. Dikush mund të shkojë dhe të mashtrojë dhe me dokumente false dhe noterin. Të mos e përjashtojmë që noteri mund të jetë subjekt i mashtruar. Varet nga veprimi dhe mosveprimi.
Më tej Stamo tha se ka ardhur koha që të rishihen rregullat e testamentit.
Përcaktimet e testamentit janë pak të vjetra në lidhje me kohën e sotshme. Duhen riparë. Ka ardhur koha të rishihen rregullat e testamentit.
Nuk ka dixhitalizim nëse sistemet nuk ndërveprojnë në kohë reale.
Po ashtu, Stamo tha se një nga elementët që mirëmban marrëdhënien mes qytetarit ASHK dhe noterit janë sistemet dixhitale.
Sistemet dixhitale e mirëmbajnë marrëdhënien mes qytetarit, ASHK-së dhe noterit. E dyta, ASHK-ja ka krijuar një grup pune në lidhje me integritetin e hipotekës. Është një gjë që unë e kam dëgjuar së fundmi, në fakt duhet të veprojë më shumë. Duke parë praktikat, ankesat, vonesat ky grup duhet të ruajë integritetin e këtij institucioni duke sintetizuar problematikat dhe duke i adresuar. Nga viti që kalo çmimet e shërbimit të kadastrës janë rritur. Janë dakord ta paguajnë, por që të marrin shërbimin.



