
Zbardhet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, në ambientet e një lokali në Vlorë, ku për motive të dobëta, u tentua të vritet me armë zjarri 33-vjeçari Tonin Ramaj, i cili mbeti i plagosur. Si rezultat i punës intensive hetimore, tejet profesionale, të bërë në një kohë rekord, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Vlorë, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në ambientet e një lokali në qytet, ku për motive të dobëta, u plagos me armë zjarri një 33-vjeçar, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të këtij rasti, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, konkretisht e shtetasve: Ermal Haxhiraj, alias Bashkim Brahimaj, 41 vjeç, banues në Sherishtë; Neritan Xhaferaj, 28 vjeç, banues në Vlorë dhe Ermal Osmënaj, 27 vjeç, banues në Vlorë. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet së këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në ambientet e një lokali të administruar nga shtetasi Katrin Limaj, në lagjen “Pavarësia 3”, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin Tonin Ramaj (Hosaj), 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili për pasojë ka mbetur i dëmtuar në gjymtyrët e poshtme të tij. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 gëzhoja arme zjarri dhe 1 fishek luftarak me kapsollë të padëmtuar, të cilat u dërguan në Institutin e Policisë Shkencore, për kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme. Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve u konstatua se në ambientet e lokalit ku ndodhi ngjarja, organizoheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin. Për këtë veprimtari kriminale u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, për shtetasin Katrin Limaj, 28 vjeç, banues në Vlorë, si dhe u sekuestruan letra bixhozi. Vijon puna intensive për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale. Brahimaj u ka shpëtuar 3 atentateve Bashkim Brahimaj u ka shpëtuar tre atentateve. Poshtë makinës së tij, një Mercedes Benz fuoristradë, ai gjeti një pako me 200 gramë tritol. E pikasi pakon e dyshimtë kur po hipte në makinë bashkë me vajzën që po e dërgonte për në shkollë. Në gusht të vitit 2013 ai i shpëtoi sërish një atentati me tritol. Lënda plasëse që i ishte vënë makinës së tij nuk shpërtheu. 42-vjeçari është vëllai i Isuf Brahimajt që u vra në një atentat me eksploziv në makinën e tij fuoristradë duke udhëtuar në rrugën Transballkanike në gusht të vitit 2014. Isuf Brahimaj ka qenë i dënuar për trafik droge në Belgjikë. Policia dyshon se vrasja e tij ka lidhje me trafikun e narkotikëve. Dy vëllezërit Brahimaj kishin ndërtuar një hotel në zonën e Ujit të Ftohtë. Në vitin 2015, me vendim gjykate hoteli me vlerë 1.5 milionë euro u sekuestrua pas dyshimeve se ishte ndërtuar me të ardhura nga trafiku i narkotikëve. Bashkim Brahimaj njihet edhe me emrat Ermal Memo dhe Ermal (Brahimaj) Bajrami. Ai, së bashku me vëllain e tij të ndjerë, kanë patur precedentë penalë në disa vende të Europës, si Itali e Holandë, ku janë proceduar për trafik droge.



