Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe vartësi i tij Alqi Bllako u dënuan nga Gjykata e Posaçme për aferën e inceneratorit të Fierit. Më pesë tetor gjykata do të shpallë vendimin për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa në vendimin e parë u dhanë edhe tre pafajësi, përfshirë administratoren e inceneratorit.
21 muaj pasi ndodhet në paraburgim, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është njohur me dënimin ndaj tij për aferën e inceneratorit të Fierit.
Gjykata e Posaçme në sallën ku z. Koka nuk ishte i pranishëm e dënoi atë për tre vepra penale: Shpërdorim detyre, Korrupsion Pasiv dhe Pastrim Parash.
Përkatësisht 3 vite për “Shpërdorim detyre”, 6 vite për “Korrupsion pasiv” dhe 8 vite për “Pastrim parash”. Në bashkim të tre dënimeve ndaj tij u caktua dënimi i vetëm me 10 vite dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimi final 6 vite e 8 muaj burg.
Ndërsa ish-vartësi i Kokës në Ministrinë e Mjedisit, asokohe sekretar i përgjithshëm Alqi Bllako u dënua me dy vite burg vetëm për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Bllako u arrestua më 1 prill të vitit 2022 dhe sërish u mbajt në qeli pasi ditët e paraburgimit janë më pak se 24 muaj burg dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Si ish-ministri, as Alqi Bllako nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit. Gjykata dha edhe tre pafajësi mes tyre atë ndaj mbikëqyrësit të punimeve të inceneratorit të Fierit, Arben Dervishaj; Ariola Kodrës administratore e inceneratorit të Tiranës e lidhur në pronësi edhe me atë të Fierit e po ashtu edhe ndaj Juri Imeraj, administrator i kompanisë J.P.Y.
Për një nga bosët e inceneratorëve, përkatësisht Kodian Zoton Gjykata e Posaçme relatoi tre dënime për veprat penale: “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë”, “Krijimin e skemave mashtruese lidhur me TVSH”, “Mashtrim me pasoja të rënda” dhe “Pastrim parash”. Për këto katër vepra ndaj Zotos i cili ndodhet në arrati u dha një dënim prej 12 vitesh burg, ndërsa në aplikim të gjykimit të shkurtuar ai u dënua me 8 vite.
Prokuroria e Posaçme në kuadër të këtij procedimi penal kërkoi edhe konfiskime të pasurive të Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos.
Por gjykata pranoi pjesërisht vetëm një konfiskim duke i kthyer pronat e tjera mes tyre bizneset e Kokës dhe familjarëve të tij si dhe apartamentin në pronësi të babait të Alqi Bllakos.
84. Në bazë të nenit 274 dhe 190 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 36 të Kodit Penal, konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit, të pasurisë së paluajtshme me nr.26/212/ND-N-4, vol 49, faqe 58, Zona Kadastrale 8512, lloji i pasurisë “njësi”, me sipërfaqe 789 m2, me vendndodhje në Durrës, në pronësi të shtetasit Lefter Koka, deri në vlerën që i korrespondon asaj të produktit të veprës penale, sipas pjesës arsyetuese të vendimit.
85. heqjen e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, caktuar me vendimin nr. 134, datë 28.03.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimin e sendeve/pasurive që janë lënë në ruajtje pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara Tiranë, personave që iu përkasin, për pasuritë/sendet e sekuetruara, si vijon: (i) pasuria e paluajtshme, me sipërfaqe 1140 m2, e ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit Lefter Koka;
(ii) pasuria e paluajtshme e llojit “njësi”, me sipërfaqe 789 m2, e ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit Lefter Koka; (iii) pasuria e paluajtshme lloji i pasurisë “njësi”, me sipërfaqe 626.8 m2, e ndodhur në Durrës, në pronësi të shtetasit Lefter Koka; (iv) pasuria e paluajtshme lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 m2, me adresë “Rruga e Elbasanit”, shk.1, k.11, ap.77, në pronësi të shtetasit Edmond Bllako.
Vendimi i GJKKO për inceneratorin e Fierit
Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit, 6 vite e 8 muaj burg.
Alqi Bllako, ish sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, ish-deputet i PS-së, 2 vite e 8 muaj burg.
Klodian Zoto, administrator i kompanisë koncensionare, 8 vite burg. (Në arrati)
Florian Muçaj, anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit, 2 vite burg, Lirohet nga burgu, i ka mbaruar dënimi
Erjon Murataj, anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit, 2 vite burg.
Azem Shatëri, anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit, 2 vite burg! Lirohet nga burgu, i ka mbaruar dënimi
Loran Dusha, administrator i Inceneratorit të Fierit, 4 vite e 8 muaj burg.
Arbër Denizi, administrator i PIVOT-04, 4 vite e 8 muaj burg
Burg i Konvertuar me Shërbim Prove
Regan Merdani- Administrator i 'Froggy”sh.p.k, 3 vite burg, shërbim prove
Gentian Zifla- Administrator i 'Itneg”sh.p.k 3 vite burg, shërbim prove
Sabina Cenameri- Anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, 3 vite burg, shërbim prove
Pellumb Abeshi- Ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit, 2 vite e 4 muaj burg, shërbim prove
Pafajësi të dhëna nga GJKKO
Arben Dervishaj- Mbikëqyrësi i punimeve të inceneratorit
Juri Imeraj- Administrator i kompanisë J.P.Y
Arjola Kodra- Administratore e inceneratorit të Tiranës



