Në kuadër të sigurisë së plazheve gjatë sezonit veror, 11 mjete lundruese u bllokuan nga Policia Kufitare nga jugu në veri të Shqipërisë. Fillimisht në Durrës, një motopeshkarexhë libane u largua nga porti pa lajmëruar kapitanerinë detare, për këtë arsye kapiteni u gjobit me 300 mijë lekë të reja. Më pas, në Dhërmi, Koman e Shëngjin janë bllokuar 4 Jet Ski, 1 skaf, 1 gomone dhe 5 motovarka artizanale. Disa prej tyre lundronin në zonën e përcaktuar për pushuesit ose ishte bregëzuar në një zonë të ndaluar. Pronarët e ktyre mjeteve lundruese u gjobitën me nga 100 mijë lekë të reja. Në Palasë, një mjet lundrues Jet Ski u bllokua pasi nuk ishte i regjistruar për të ushtruar aktivitet. Më 6 Maj të këtij viti, kryeministri Rama inauguroi në Vlorë, Njësinë Policore Detare duke u kërkuar që gjatë këtij sezoni veror nuk do të tolerohen mjetet lundruese të cilat kërcënojnë jetën e pushtuesve në bregdet në një kohë kur një vit më parë, 7-vjeçarja Jonida Avdiaj humbi jetën në plazhin e Potamit pasi u godit me skaf nga polici Arjan Tase.



