
Mjeku obstetër-gjinekolog, Astrit Bimbashi sqaron se mjeku obstetër merret me lindjen, ndërsa gjinekologu me sëmundjet e grave, që janë komplet të ndara nga njëra tjetër.
Ai thotë se sot ka shumë pak gra që lindin në shtëpi dhe në ato raste ndodh kur i fillon dhimbja dhe përfundon lindja aty, por se nuk janë më shumë se 1% e popullatës.
Në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, deklaroi se edhe sot ka gra që refuzojnë të shkojnë te një mjek obstetër burrë dhe se me prurjet e sirianëve këta janë shtuar.
Për fat të mirë kemi mjeke shumë të mira të zonja, por për fat të keq në 10 vjeçarin e fundit, numri i vajzave që fitojnë mjekësi është 90% në raport me 10% djem.
Të gjithë specializantët në obstetrikë-gjinekologji janë gra. Qeveria dhe politikat shëndetësore duhet të balancojnë sistemin. Është i vetmi vend ku gratë dominojnë në 10 vitet e fundit.
Lidhur me maternitetin, Bimbashi sqaroi se në thelb nuk është spital por se është shtëpi lindje dhe se mund të ndodhë edhe fatkeqësi ku vdes nëna ose foshnja, për shkak të patologjive të ndryshme.
Por sipas tij çdo fatkeqësi kthehet në një dramë apo tragjedi po vdiq gjatë lindjes, ndërsa po vdiq në kirurgji, nuk ndodh asgjë.
Ne të gjithë duam që nëna të dalë me një fëmijë të shëndetshëm në krahë. Mund të ndodhë 1-2 vdekje foshnjash në vit. Mjekët nisin nga një qëllim i mirë që gruaja të lindë vetë, por askush nuk e di se çfarë rezervash energjetike ka një bebe për të përballuar lindje.
1-2 raste në vit, janë raste shumë serioze dhe diskutohen gjatë. Ka 5-6 vjet që nuk ka vdekur asnjë grua në spital. Vdekja e gruas shtatzënë e ka një shkak dhe zakonisht janë të shmangshme.
Por nivelet shëndetësore janë të ndryshme në vende të ndryshme. Për vdekshmërinë amëtare, krahasohemi me botën perëndimore, nuk kemi vdekshmëri më të lartë.
Ndodhin dhe do ndodhin, pasi patologjitë e grave shtatzëna mund t’i parashikojmë, por nuk i ndalojmë dot. Janë një grup gjërash ku vendimet merren në konsultë me personat e interesuar, por që janë të vështira ndonjëherë.



