Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange nuk do të mësojë deri në muajin e ardhshëm nëse ai mund të kundërshtojë ekstradimin në SHBA për akuzat për spiunazh, apo nëse beteja e tij e gjatë ligjore në Britani ka mbaruar.
Dy gjyqtarë të Gjykatës së Lartë thanë të mërkurën se do të merrnin kohë për të shqyrtuar vendimin e tyre pas një seance dyditore në të cilën avokatët e Assange argumentuan se dërgimi i tij në Shtetet e Bashkuara do të rrezikonte një "mohim flagrant të drejtësisë".
Avokatët e SHBA-së, ku Assange është akuzuar për spiunazh, thanë se ai vuri në rrezik jetë të pafajshme dhe shkoi përtej gazetarisë në përpjekjen e tij për të kërkuar, vjedhur dhe botuar pa dallim dokumente të klasifikuara të qeverisë amerikane.
Kujtojmë që saga ligjore e ka mbajtur Assange-n në një burg britanik të sigurisë së lartë për pesë vitet e fundit.



