
Teksa presioni diplomatik po shtohet për të shmangur një përshkallëzim rajonal dhe për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza, Izraeli po i hedh benzinë zjarrit, duke vazhduar bastisjet vdekjeprurëse në Rripin e Gazës dhe Liban.
Të paktën nëntë persona u vranë dhe pesë u plagosën nga një sulm izraelit në një ndërtesë në qytetin jugor të Libanit, Nabatiya. Sipas Ministrisë libaneze së Shëndetësisë, mes të vdekurve është një grua dhe dy fëmijët e saj, ndërsa nga sulmi ka edhe pesë të plagosur dhe gjendja e dy prej tyre konsiderohet kritike.
Ushtria izraelite tha se sulmi ajror kishte në shënjestër një depo armësh të përdorur nga luftëtarët e Hezbollahut dhe gjithashtu goditi "strukturat ushtarake" pranë kufirit midis dy vendeve
Shtetet e Bashkuara paraqitën të premten, pas dy ditë negociatash në Doha, një propozim të ndryshuar për një armëpushim në Gaza, por Hamasi hodhi poshtë menjëherë "kushtet e reja" që pretendonte se po vendoseshin nga Izraeli.
Një zyrtar i lartë i Hamasit akuzoi administratën amerikane se po përpiqet të krijojë një "atmosferë false pozitive", por nuk ka asnjë qëllim real për t'i dhënë fund luftës në Gaza dhe se po përpiqet vetëm të blejë kohë.
Një ditë më parë presidenti amerikan Joe Biden tha se marrëveshja "nuk ka qenë kurrë kaq afër" duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të mos "minojnë" negociatat.
Me një marrëveshje që është shumë afër për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve, askush në rajon nuk duhet të veprojë për të minuar këtë proces
Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken do të udhëtojë në Izrael për të kërkuar " një marrëveshje" bazuar në propozimin e ri. Pavarësisht reagimit negativ të Hamasit, SHBA dhe Izraeli kanë shfaqur një optimizëm të moderuar për arritjen e një marrëveshjeje.



