Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, sociologu Gëzim Tushi ka komentuar aksidentin e rëndë në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur, duke e cilësuar ngjarjen si një moment reflektimi për gjithë shoqërinë shqiptare.
Duke u ndalur te reagimi publik, Tushi theksoi se debati shpesh përqendrohet vetëm te përgjegjësia individuale, duke lënë në hije faktorët më të gjerë socialë.
“Është dita ku i gjithë opinioni publik është i sensibilizuar,” u shpreh ai, “por shpesh nuk ndihmon mënyra se si caktohet faji dhe përgjegjësia.”
Sipas tij, fokusi te gjendja e drejtuesit të mjetit, si përdorimi i alkoolit apo substancave, nuk mjafton për të shpjeguar tragjedi të tilla.
“Debati është përqendruar tek individi i alkoolizuar apo i droguar,” tha Tushi, “por kjo nuk është e mjaftueshme për të kuptuar plotësisht ngjarjen.”
Ai shtoi se shoqëria duhet të shohë përtej rastit konkret dhe të analizojë “pyllin e madh të rreziqeve” që, sipas tij, karakterizon jetën moderne.
“Nuk janë automobilat shkaku, por kultura e përdorimit të tyre,” u shpreh ai, duke theksuar se rritja e automjeteve dhe mungesa e disiplinës në përdorim krijojnë rreziqe të vazhdueshme.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga sociologu lidhet me hapësirat e kufizuara për fëmijët në qytete. Ai iu referua edhe studimeve ndërkombëtare për reduktimin e hapësirës së lojës dhe ndikimin e saj në jetën e të miturve.
“Fëmijëve u është kufizuar hapësira e lojës,” tha ai, duke shtuar se në qytete si Tirana kjo problematikë është edhe më e theksuar.
Në përfundim, Tushi e vendosi ngjarjen në kontekstin e asaj që ai e quan “shoqëri rreziku”, ku faktorët individualë dhe socialë ndërthuren në mënyrë të rrezikshme.
“Duhet ta shohim përtej ngjarjes,” theksoi ai, “sepse kemi të bëjmë me faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që ndërveprojnë.”



