Ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiq tha se turizmi ka rritur fuqinë blerëse dhe për pasojë edhe çmimet e produkteve në Shqipëri. Duke folur në “Mcn Economy” Radonshiq tha se qytetarët shqiptarë nuk i ndihmon turizmi, pasi shpesh herë ndihmon rritje artificiale çmimesh. Po ashtu ajo vuri në dukje se produktet e importit i konkurrojnë ato vendase.
“Është një dukuri që ka ndodhur shpesh here. Në festa ka ulje çmimesh ndërsa në Shqipëri kemi rritje çmimesh. Me zhvillimin e turizmit duket sikur është rritur fuqia blerëse, dhe janë rritur çmimet. Por janë turistët që e kanë rritur fuqinë blerëse, jo shqiptarët. Pagat janë në nivelin që janë.
Patjetër që janë rritur në turizëm, por janë sezonale. Për qytetarët që jetojnë në këto zona kemi rritje çmimesh dhe ulje të fuqisë blerëse. Qytetarët s’i ndihmon turizmi, pasi krijon atë rritjen e çmimeve, shpesh herë edhe artificiale. Edhe te prodhimi blegtoral kemi kufizim të prodhimit vendas dhe për pasojë ne importojmë dhe produktet vijnë me çmime më të larta për konsumatorin shqiptar.
Çmimet e importit i konkurrojnë edhe produktet vendase. Subvencionet janë të pamjaftueshme. Fermeri vendas çmimet e lëndës së parë i ka më të larta, që i shtohen kostot finale. Duhet që qeveria krahas zhvillimit të turizmit të ndikojë edhe në sektorin prodhues, pasi kjo do sillte qëndrueshmëri”.



