Gazetari Mariglen Kume tha në MCN Live se rinumërimi i votave në Tiranë tregoi fenomenin e orientimit të votës brenda dy partive të mëdha PS dhe PD. Po ashtu Kume mendon që fakti që kemi vota të marra apo të vjedhura brenda partisë i rrëzon PD-së kauzën për farsën elektorale. Sipas gazetarit kandidatët më të vjedhur janë ata që nuk kanë qenë të angazhuar për ta ndjekur procesin nga afër, apo kanë shfaqur më pak ambicie.
“Janë hapur gjithsej 450 kuti nga 1200 që ka qarku Tiranë, nga kjo del që s’ka një ndryshim rezultati. Ka dalë që PD përkundër pretendimeve që janë marrë dhe tjetërsuar votat, deri më tani del si partia ka marrë më shumë vota seç i takonin. 220 vota ‘të vjedhura’ deri më tani kundrejt 194 që kishte PS. Kandidatët e rinj nga të cilët pritet ndryshimi, kanë rezultuar hajdutë! Nuk është njeri aq budalla që të marrë përgjegjësi penale.
Do kenë marrë garanci, ose do t’ua ketë kërkuar personi. 35 për qind e Tiranës janë hapur. Nga rinumërimi ndryshon që Dogjani kalon Murrizin te PD. Sa i përket çështjes për të marrë mandatin e 14-të PD, të paktën deri më tani, me këto shifra është e pamundur. Sepse ka dalë që PD ‘ka vjedhur’ 220 vota. Nuk prodhohet asnjë lloj ndryshimi në rezultatin final. Kjo tregon një fenomen orientimin e votës brenda partisë.
Kjo është e qartë si nga PS ashtu edhe PD. Kandidatët që kanë qenë pasivë, që s’kanë pasur ambicie, dhe s’kanë qenë të angazhuar për ta ndjekur procesin, si në rastin e znj.Kodheli, ishte konsiderueshëm e vjedhur. Është e vjedhur edhe znj.Çupi, që bëri fushatë, por s’bëri këtë luftën te vota personale. PS dhe PD ia kanë marrë votat partive të reja ose të vogla. Në një farë mënyre kjo ndryshon tezën e tyre (PD) për farsën elektorale, sepse edhe ti ke marrë”.



