Babë e bir janë vënë në prangat e policisë së Shkodrës të shpallur në kërkim për një plagosje të kryer disa javë më parë.
Të arrestuarit janë Viktor Dakaj, 43 vjeç, banues në fshatin Grudë, për veprën penale “Shtytja e të miturve në krim” dhe djali i tij 16 vjeç, për veprat penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Babë e bir ishin shpallur në kërkim pasi dyshohet se më datë 20 korrik, në sheshin “Prek Cali”, janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me shtetasin P. G., 33 vjeç, dhe gjatë konfliktit, 16-vjeçari, në bashkëpunim me vëllanë e tij 14 vjeç, ka goditur me thikë 33-vjeçarin.
Policia saktëson se veprimet procedurale për 16-vjeçarin dhe për 14-vjeçarin (pa përgjegjësi penale për shkak të moshës) janë kryer duke respektuar Kodin e Drejtësisë për të Mitur.



