Koncerti i Kanye West, Mile: Sjell vëmendje për vendin, mijëra turistë dhe një promovim ndërkombëtar për Shqipërinë

Koncerti i Kanye West, Mile: Sjell vëmendje për vendin, mijëra turistë dhe një promovim ndërkombëtar për Shqipërinë

Mikpritja e artistëve ndërkombëtarë në Tiranë dhe ndikimi që eventet e përmasave të mëdha kanë në promovimin e Shqipërisë ishin në fokus të diskutimit të deputetes së Partisë Socialiste Sara Miles në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.

 

Duke folur për koncertin e Kanye West në Tiranë, Mile theksoi se rëndësia e një eventi të tillë nuk lidhet vetëm me emrin e artistit, por me mundësinë që Shqipëria të pozicionohet si destinacion për organizime ndërkombëtare.

 

Është një ngjarje e madhe sa herë Shqipëria dhe Tirana mirëpresin një artist ndërkombëtar, qoftë i përmasave të Kanye West, por ndoshta edhe jo aq sa ai. Sa herë dikush zgjedh të ketë destinacion Tiranën, është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe për ne.

 

Ajo shtoi se zhvillimi i një eventi të tillë duhet të shihet si një arritje për të gjithë vendin dhe jo vetëm si një aktivitet muzikor.

 

Unë nuk e kuptoj pse, të paktën në këtë pikë, ne të gjithë si shqiptarë duhet të biem dakord. Sepse nuk ka qenë gjithmonë e thjeshtë që Tirana të ishte kaq mikpritëse ndaj eventeve të tilla. Tani përsëri përdoret shembulli i Kanye West. Unë nuk dua të merrem me të personalisht. Unë personalisht nuk jam ndonjë fanse e madhe e tij, sepse nuk është muzika që dëgjoj zakonisht. Mirëpo, kur flasim për një artist të përmasave të tij, që ka një ndikim global dhe që e vendos Tiranën dhe Shqipërinë në vëmendjen ndërkombëtare, kjo është një çështje tjetër.

 

Sipas Miles, fakti që një artist me famë botërore zgjedh Shqipërinë për një event të tillë përbën një moment të rëndësishëm edhe në raport me rajonin.

 

Është hera e parë që një këngëtar me këtë famë ndërkombëtare zgjedh një vend të rajonit për një event të tillë dhe ky vend është Shqipëria. Patjetër që është një lajm i madh, por nuk është vetëm lajmi se pse ka ardhur Kanye. Është lajm i madh sa herë Shqipëria mund të mikpresë një organizim të këtyre përmasave.

 

Ajo vuri në dukje edhe efektin ekonomik që sjellin eventet e mëdha, duke theksuar se turistët që mbërrijnë për një koncert kontribuojnë në shumë sektorë të ekonomisë lokale.

 

Flasim për rreth 30 mijë turistë të huaj nga 80 vende të ndryshme të botës, të cilët zgjedhin Tiranën për koncertin. Dhe sigurisht, ata nuk vijnë vetëm për koncertin. Ata do të flenë në Tiranë, do të konsumojnë në Tiranë, do të kenë mundësinë të shohin dhe të njohin qytetin. Kështu që promovimi shkon shumëfish përtej atij koncerti.

 

Mile theksoi se imazhet e Tiranës të transmetuara në mediat ndërkombëtare pas eventit përbëjnë një përfitim të rëndësishëm për vendin.

 

Fakti që koncerti shkoi shumë mirë dhe pamjet e Tiranës europiane u shfaqën në mediat ndërkombëtare është padyshim një rezultat pozitiv i këtij eventi. Por për Shqipërinë nuk është vetëm koncerti. Është gjithçka që vjen pas tij dhe gjithçka që krijohet rreth tij.

 

Në vijim të intervistës, Mile kritikoi edhe reagimet negative që, sipas saj, u shfaqën në rrjetet sociale gjatë ditëve të eventit, duke argumentuar se ato mund të dëmtojnë perceptimin e turistëve për vendin.

 

Fakti që pikërisht në këto ditë patëm edhe një sulm të madh me komente negative nga pseudo-protestues, të cilët nuk ishin më thjesht protestues, por pjesë e një fushate politike, ishte një gjë e dëmshme. Ata shkuan dhe krijuan një anti-reklamë për bizneset pikërisht në ditët kur shumica e turistëve ishin këtu.

 

Ajo nënvizoi se vlerësimet dhe komentet online kanë ndikim të drejtpërdrejtë te vizitorët ndërkombëtarë.

 

Ju e dini shumë mirë që të huajt i shohin komentet dhe vlerësimet online; ata ndikohen prej tyre. Prandaj po them: ky koncert shkoi shumë mirë. Është një ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe, nëse do ta shohim edhe në aspektin ekonomik, është një vlerë e shtuar për vendin.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy