
Martin Wolf – Financial Times
Ne jetojmë në epokën e despotëve karizmatikë të zgjedhur me votë. E tyrja – janë pothuajse gjithmonë meshkuj - është politikë e frikës dhe e tërbimit. Duhet njëfarë personaliteti që të jesh mjeshtër i një politike të tillë. Në rrethanat e duhura – që janë të gabuarat – këta lloj liderësh lindin natyrshëm. Nuk është diçka surprizuese, sidomos pas një revolucioni të dhunshëm. Ajo që është më e rëndë është fakti se udhëheqës të tillë po shfaqen në demokraci të konsoliduara.
Ne tani po shohim të zgjidhen “njerëz të fortë” – që janë ose do të bëhen të tillë – kudo. Shembuj ka plot, që nga liderë si Vladimir Putin në Rusi, Recep Tayyip Erdogan në Turqi, Narendra Modi në Indi, Nicolás Maduro në Venezuelë, Rodrigo Duterte në Filipine, Jair Bolsonaro në Brazil, Benjamin Netanyahu në Izrael, Matteo Salvini në Itali e deri te Donald Trump në SHBA. Ata dallojnë nga njëri-tjetri varësisht nga shkalla e sofistikimit. Edhe vendet në të cilat ata operojnë dallojnë nga njëra-tjetra. Disa janë të zhvilluara ekonomikisht, të tjera nuk janë. Disa janë demokraci të konsoliduara, të tjera ende jo.
Këta njerëz janë të gjithë personazhe në një histori të treguar në mënyrën e duhur nga "Freedom House". Raporti “Liria në botë 2019”, i publikuar në shkurt, evidentoi për të 13-in vit me radhë dobësimin e shëndetit të demokracisë globale. Kjo rënie është shënuar në të gjitha rajonet e botës, veçanërisht në demokracitë që lindën pas Luftës së Ftohtë. Kjo ndodhi sidomos në demokracitë perëndimore – me SHBA si bartësen më të madhe të vlerave demokratike – e cila u ka prirë të tjerave.
Çfarë njeriu është një lider i tillë? Te “Republika”, vepra e parë e filozofisë politike perëndimore, Platoni (një antidemokrat) e përshkruan këtë tip lideri si protektor (mbrojtës). Me një turmë që e ndjek mbrapa, atë nuk e bren ndërgjegjja për premtimet apo ato që bën.
Cili do të jetë fati i tij, pyet Platoni. “Ai nuk duhet të vdesë nga duart e armiqve të tij, apo nga shndërrimi në një "ujk" – që do të thotë një tiran? Kjo ide e mbrojtësit të supozuar, si despot i ardhshëm, është e dukshme. Por një njeri i tillë nuk e paraqet veten si mbrojtës i të gjithëve. Ai e portretizon veten si mbrojtës i "njerëzve të vërtetë" përkundër të huajve, pakicave dhe elitave tradhtare. Ky është një pohim moral dhe jo politik. Politika e tij është politika e paranojës. Nëse ndonjë gjë shkon keq, është patjetër faji i “gjendjes së rëndë” apo ndonjë armiku brenda ose jashtë. Profesori i Universitetit Princeton, Jan-Werner Müller, e quan populist këtë tip politikani, në librin e tij “Çfarë është populizmi?”
Për të pasur sukses, një demagog populist duhet të projektojë besimin në veten e tij si njeri i fatit. Obsesioni me veten dhe madje megalomania mund t’i vijnë në ndihmë; ato mund të jenë thelbësore. Në një libër bindës, “Mendje të çorientuara”, shkrimtari irlandez Ian Hughes sugjeron se këta njerëz janë narcistë ose psikopatë. Në syrin e dikujt që nuk është ekspert, ata mund të duken të çmendur. Ndryshe, si mund t’ua shesë ai të tjerëve idenë se “vetëm unë jam shpëtimi i popullit”?
Nëse një lider i tillë dëshiron të shkatërrojë demokracinë, kjo është, për fat të keq, një gjë jo aq e vështirë për t'u bërë, argumentojnë profesorët e Harvardit, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt në librin “Si vdesin demokracitë”.
Së pari, kapin gjyqtarët (gjyqësori, autoritetet tatimore, agjencitë e inteligjencës dhe ato të zbatimit të ligjit).
Së dyti, mënjanojnë ose eliminojnë kundërshtarët politikë dhe mbi të gjitha mediat.
Së treti, përmbysin rregullat zgjedhore.
Mbështetja e këtyre sulmeve do të jetë një këmbëngulje e egër mbi paligjshmërinë e opozitës dhe "falsitetin" e informacionit, që nuk përputhet me çdo gjë që liderit i duket e dobishme për shtetin. Njerëzit do të kenë besim te një lider i tillë, sa herë që duan dëshpërimisht të besojnë se një njeri i fuqishëm është në anën e tyre në këtë botë të padrejtë. Kjo është ajo që ndodh kur lëkundet besimi në institucionet dhe normat e një demokracie komplekse. Kur humbet besimi në një politikëbërje të kthjellët, figura karizmatike shfaqet si modeli më i lashtë i një lideri: kreu i fisit. Kur gjërat bëhen kaq elementare, ndryshimi mes demokracive në zhvillim dhe të ashtuquajturave demokraci të përparuara mund të zhduket. Është e vërtetë që këto të fundit (demokracitë e konsoliduara) kanë institucione dhe norma më të forta, si edhe elektorat më të arsimuar. Në rrethana normale, kjo mund të jetë e mjaftueshme për t'u bërë ballë atyre. Disa argumentojnë se kjo do të vijojë të jetë e mjaftueshme. Megjithatë, ne jemi njerëz. Njerëzit i adhurojnë despotët karizmatikë, i kanë adhuruar gjithnjë.
Në vendet në zhvillim, zgjedhja e autokratëve potencialë shpesh vjen pas dështimeve spektakolare të paraardhësve (si në Brazil), ose poshtërimit të thellë kombëtar (si në Rusi) - ose të dyjave bashkë. Atëherë, si mund ta kuptojmë historinë në SHBA, ku, sipas raportit të hetuesit special Robert Mueller, sjellja e presidentit, në një epokë më të hershme, do të kishte qenë e papranueshme? Pse u zgjodh z. Trump? Pse ende gëzon besimin e shumë njerëzve? Përgjigjja ka dy pjesë. Njëra është forca e frikës dhe e zemërimit. Kjo vjen pjesërisht për shkak të dështimeve ekonomike afatgjata, pjesërisht për shkak të krizës financiare dhe pjesërisht për shkak të ndryshimeve kulturore.
Pjesa e dytë e përgjigjes është gatishmëria e pjesëve të ndryshme të elitës për t’i shfrytëzuar emocione të tilla, për të arritur reduktime të mëdha taksash dhe për të eliminuar rregulloret. Unë e kam quajtur këtë qasje "pluto-populizëm". Ajo gjithashtu mund të shihet si strategji e ndarjes racore e përdorur nga elitat e vjetra të Jugut të SHBA-ve, por e modernizuar dhe e aplikuar te kombi si i tërë.
Rasti i SHBA-ve është më i rëndësishmi, sepse ai ka qenë mbrojtësi kryesor i demokracisë liberale të botës. Por rryma jo shumë të ndryshme ekzistojnë edhe në vende të tjera me të ardhura të larta. Sundimi deinstitucional nga “të fortët” e zgjedhur me votë, mund të jetë edhe më i keq se sundimi institucional i një lideri të emëruar, siç është Xi Jinping i Kinës. Politika e frikës dhe e zemërimit ka tendencën të shkojë drejt tiranisë. Institucionet, të vetme, nuk mund t’i bëjnë ballë këtij kërcënimi. Vetëm një politikë e ndërtuar pjesërisht mbi shpresën mund ta bëjë këtë. Siç thoshte Abraham Lincoln, një republikë demokratike mund të zgjasë vetëm nëse ka prekjen e "engjëjve më të mirë të natyrës sonë". / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



