Në studion e MCN Informacion, dy ekspertet e punësimit, Elvira Idrizi dhe Gertjana Hasalla, analizuan dinamikat e tregut të punës përgjatë vitit 2025. Ato thanë se largimi i njerëzve ka krijuar vakum në treg. Sipas Hasallës, tregu është bërë i paqëndrueshëm. Ndërsa Idrizi u shpreh se punonjësit e huaj nuk mbushin dot boshllëkun që është krijuar.
Gertiana Hasalla
Ka rrjedhje të punonjësve të kualifikuar. Largimi i tyre ka krijuar vakum.
Kur nis sezoni turistik, ne ndiejmë vakumin e fuqisë punëtore. Ka vende si Kroacia dhe Greqia që mund t’i marrin. Pra, kjo fuqi punëtore është tërësisht e përkohshme. Pra vit pas viti zëvendësohet dhe ka nevojë për trajnim. Kjo e bën tregun të paqëndrueshëm.
Edhe atë pak bujqësi që kemi ne shohim që fermerët vuajnë për fuqi punëtore në kohën e sezonit. Edhe nëse i gjejnë këta persona janë më shumë popullsi kufitare. Ne kemi fuqi punëtore që lëviz duke shfrytëzuar 3-mujorin e BE-së.
Në janar kemi pasur një rritje të pagës minimale. Por duhet të kujtojmë se rritja e kostos së jetesës është rritur shumë. Pra, kjo paga jonë mesatare nuk është gjëkundi me koston e jetesës.
Elvira Idrizi
Ka nevojë për punëtorë. Një pjesë e bizneseve po i plotësojnë me punonjës që vijnë nga jashtë. Është një vakum i tëri i mungesës së fuqisë punëtore që nuk mbushet nga punonjësit e huaj.
Ka ndodhur një zhvendosje e tërë vëmendjeje nga universitetet në arsimin profesional. Profesione të kërkuara në treg, që paguhen mirë, nuk kanë mjaftueshëm studentë. Ka një rritje të numrit të personave që ndjekin arsimin profesional.
Degët e mjekësisë kanë akoma studentë, por për degët e tjera ka mungesa shumë të mëdha. Të gjitha degët e mësuesisë kanë shumë pak studentë. Pas disa vitesh do të kemi shumë pak mësues.
Janë hapur në 61 bashki të Shqipërisë ato që quhen pika fokale të migracionit dhe diasporës. Synohet që përmes pakteve bashkiake të lehtësohet lëvizja migratore e brendshme.
Të rinjtë ikin sepse është shumë e vështirë të gjejnë një punë të denjë. Kodi i Punës nuk zbatohet nga sektori privat. P.sh., ti në Perëndim gjen shërbime mbyllur të dielën. Pse? Sepse funksionon Kodi i Punës.



