
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se Serbia dëshiron përshkallëzimin e situatës në veri.
“Sulmet në Zubin Potok vijojnë pas deklaratave nxitëse në Beograd. Serbia qartazi po dëshiron ta militarizojë dhe ta eskalojë situatën, po sjell deri afër kufirit helikopterë dhe avionë të prodhimit rus. Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, konflikt ky, i cili rrezikon të marrë përmasa edhe rajonale”, tha Kurti.
Kurti tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, po inkurajon grupet kriminale në veri të Kosovës.
“Ftesës për bisedime nga Brukseli i jemi përgjigjur pozitivisht. Kemi treguar gatishmërinë tonë për dialog, por presidenti i Serbisë ka refuzuar dhe në vend të dialogut ka zgjedhur inkurajimin e grupeve kriminale në veri të Kosovës. Provokimet e tilla janë të tilla, sepse krimi, tensioni, frika, kanë qenë e vetmja formë e mbijetesës për ta në këto dy dekada”, tha ai.
Kurti tha së ka thirrur mbajtjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës gjatë orëve të mbrëmjes së të shtunës.



