Në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi ankimimet për zgjedhjet e 25 prillit.
Avokati i PD Marash Logu kërkoi sot në KAS shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qarkun e Korçës, si dhe ripërsëritjen e tyre.
Pas diskutimeve në mbledhje, KAS vendosi që të rrëzojë kërkesat e PD-AN dhe LSI për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Qarkun e Korçës.
Anëtari i KAS u shpreh se palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin brenda pesë ditësh.
“KAS pasi analizoi provat dhe faktet e paraqitura, vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore të paraqitur nga PD dhe LSI. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Palët për këtë duhet të paraqesin brenda 5 ditëve ankimim në Kolegjin Zgjedhor.”
Gjatë prezentimit të ankimimit, avokati Logu foli për blerje votash nga 100 deri në 300 euro, ndërsa iu referua një skeme ku sipas tij ishin të përfshirë ministri Peleshi, kryebashkiaku Filo, dhe zyrtarë të tjerë lokalë.
“PD ka parashtruar para këtij komisioni se shtetasit Niko Peleshi, ministër i Mbrojtjes dhe deputet i PS-së, Blerina Gjylameti deputete e PS-së, Sotiraq Filo, kryetar i bashkisë Korçë, Kletiona Kita, nënkryetare e bashkisë Korçë, Ilir Bajlozi drejtor i drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore, Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Besa Spaho, drejtore e Agjencisë së Kadastrës në Korçë dhe kandidate për deputete e PS, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, drejtues lokal, përfaqësues të PS, individë të skeduar me rekorde kriminale, kishin ngritur një skemë nëpërmjet parave, ndihma ushqimore, kupona të kartave të identitetit etj. Ndaj këtyre shtetasve PS ka depozituar tre kallëzime penale për veprat penale korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, shpërdorimin e detyrës, marrjen e paligjshme të dokumentit të identifikimit dhe kanosjen në zgjedhje. Krahas blerjes së votave nga 100 deri në 300 euro ne kemi parashtruar para këtij komisioni se u shpërndan ndihma ushqimore për familjet në nevojë apo përfitime të tjera”, tha Logu.



