Tenderi 1-Pesë skualifikime për një formular: si u “dekorua” gara 1,644,800 lekëshe në Bashkinë Kurbin
Bashkisë Kurbin ka shpallur tenderin me objekt "Blerje materiale për Dekor, Bashkia Kurbin", me fond limit 1,644,800 (një milion e gjashtëqind e dyzet e katër mijë e tetëqind) lekë pa TVSH, një shumë modeste, por mjaftueshëm serioze për të prodhuar një garë ku konkurrenca u trajtua me kujdes maksimal: nga gjashtë ofertues, pesë u skualifikuan.
Kjo procedurë prokurimi e Bashkisë Kurbin për blerje materialesh dekorative, me vlerë rreth 1.6 milion lekë pa TVSH, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën e garës, pasi pesë nga gjashtë ofertuesit u skualifikuan me të njëjtën arsye formale. Rastësi e pastër apo efikasitet administrativ? Pesë kompani, pesë skualifikime identike.
Në mbështetje të nenit 92, pika 3 të ligjit Nr.162/2020, datë 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik”, ku parashikohet se: "Autoriteti ose enti kontraktor, në zbatim të pikës 4 të këtij neni, vlerëson një ofertë të vlefshme vetëm nëse ajo është në përputhje me të gjitha kërkesat dhe specifikimet e përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe në dokumentet e tenderit …., si dhe të nenit 82, pika 2, Kreu X, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.285, datë 19.05.2021 “Për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”, i ndryshuar, ku parashikohet se:, “Komisioni i vlerësimit të ofertave verifikon dhe vlerëson ofertat e dorëzuara, duke kualifikuar vetëm ato oferta, që përmbushin kërkesat për kualifikim, të përcaktuara në dokumentet e tenderit dhe janë të përgjegjshme/vlefshme……..., oferta refuzohet pasi nuk janë plotësuar pikat si më poshtë vijon:
Pra, të gjitha ofertat më të ulëta u përjashtuan për të njëjtin “mëkat” për “mospërputhje në Formularin Përmbledhës të Vetëdeklarimit”, konkretisht mungesë të të dhënave për mjetin sipas pikës 2.3.2 të kritereve të kualifikimit. Asnjë prej operatorëve nuk u skualifikua për mungesë kapacitetesh teknike, eksperiencë apo personel, por vetëm për të njëjtin gabim teknik në dokumentacion. Një gabim i vogël në letër, por fatal në garë. Një gabim që, në mënyrë të çuditshme, e kishin bërë të gjithë operatorët konkurrues, përveç atij që do të shpallej fitues.
Si rezultat, fitues u shpall kompania “Iceberg Communication”, me ofertën 1,425,000 lekë pa TVSH, edhe pse në garë kishte ofertë më të ulët prej 1,333,000 lekësh, e cila u skualifikua jo për çmimin, as për cilësinë, por për një mangësi formale në dokumentacion
Skualifikimet e njëpasnjëshme dhe identike të 80% të garuesve, së bashku me faktin që oferta më e ulët nuk u shpall fituese, ngrejnë dyshime të forta për favorizim, mungesë transparence dhe keqadministrim të procedurës Një garë ku fituesi mbetet në këmbë jo sepse kishte ofertën më të mirë, por sepse kishte formularin më “të rregullt”.
Duke qenë se tenderi përjashtoi pothuajse të gjithë konkurrencën për arsye formale, ndërsa fituesi ka ofertë më të lartë se disa operatorë të skualifikuar, ngrihet nevoja që organet e kontrollit, Komisioni i Prokurimit Publik, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria të verifikojnë procedurën, dokumentet dhe mënyrën e vlerësimit të ofertave.. Sepse, në fund të fundit, kur dekorimi bëhet më i rëndësishëm se konkurrenca, problemi nuk është më estetik, por institucional.
Tenderi 2- 44 miliardë lekë tendera, pa garë dhe me flamur të kuq: rruga e Kreatx nga startup rinor te përfituesi serial i fondeve publike
Për periudhën 29.01.2025 deri sot, Kreatx shpk ka përfituar 9 procedura prokurimi, me vlerë 12.86 miliardë lekë, nga të cilat 8 me flamur të kuq, me vlerë 12.82 miliardë lekë ose 99.7% e vlerës totale të përfituar, për (i) mungesë konkurrence, (ii) skualifikim të të gjithë operatoreve konkurrues përvec fituesit dhe (iii) skualifikim të ofertës me vleren më të ulët; si më poshtë vijon :
1. Nga Ujësjellës Kanalizime Vlorë sha, ka përfituar tenderin me objekt "Mirëmbajtje e sistem faturimi, arkëtimi dhe fiskalizim fature", me fond limit 100 milionë lekë dhe vlerë kontrate 95 milionë lekë, fituar nga operator i vetëm në garë pra pa garë dhe në mungesë totale konkurence nga shoqëria Kreatex shpk.
2. Nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka përfituar tenderin me objekt "Mirëmbajtje e regjistrit elektronik të OJF", me fond limit 195 milionë lekë dhe vlerë kontrate 189.2 milionë lekë, fituar nga operator i vetëm në garë pra pa garë dhe në mungesë totale konkurence nga bashkimi i operatorëve Kreatex shpk dhe Axians Albania shpk
3. Nga Ujësjellës Kanalizime Elbasan sha, ka përfituar tenderin me objekt "Mirembajtje dhe permiresime per sistemin e faturimit dhe fiskalizimi i faturave", me vlerë kontrate 41.2 milionë lekë, fituar nga shoqëria Kreatex shpk .
4. Nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka përfituar tenderin me objekt "Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS)", me fond limit 10.25 miliardë lekë dhe vlerë kontrate 9.24 miliardë lekë, me diferencë me ofertën më të ulët 1 miliardë e 55 milionë lekë ose 11.4% e vlerës së kontratës, fituar nga bashkimi i operatorëve bashkimi i shoqërive Kreatex shpk dhe Soft & Solution shpk. Ky tender është me flamur të kuq jo vetëm sepse është skualifikuar oferta më e ulët dhe diferenca shumë e madhe e ofertës fituese me ofertën më të ulët, prej plot 1 miliardë e 55 milionë lekë, vlerë e cila do të kursehej nqs do të zbatohej Ligji "Për Prokurimin Publik" dhe kriteri i përzgjedhur nga vetë KLSH për kualifikimin e fituesit, kriteri i "ofertë ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim" ose ofertës më të ulët; por edhe sepse nga 6 operatorë në garë, 5 janë skualifikuar, duke i hapur rrugën kualifikimit të fituesit. Një tjetër detaj është përfitimi i këtij tenderi me shoqërirë Soft & Solution shpk, në pronësi të shtetasit Ermal Beqiri, i cili së fundmi është në kërkim nga SPAK lidhur me aferën e AKSHIT .
5. Nga Ujësjellës Kanalizime Dibër sha, ka përfituar tenderin me objekt "Shërbim e mirëmbajtje, program fiskalizimi, kontabiliteti, faturimi, arketimi, magazinim e inventarizimi, etj", me vlerë kontrate 18.7 milionë lekë, fituar nga shoqëria Kreatex shpk. Në garë kanë marrë pjesë dy operatorë, një nga të cilët është skualifikuar për ti hapur rrugën përfitimit të tenderit nga Kreatx shpk.
6. Nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë sha, ka përfituar tenderin me objekt "Përmiresimi i sistemit të faturimit dhe sigurisë, moduleve të taksave, leximeve dhe pagesave me palët e treta, mirëmbajtje dhe monitorim i sigurisë së sistemit dhe moduleve", me fond limit 1.44 miliardë lekë dhe vlerë kontrate 1.18 miliardë lekë, fituar nga oferta më e lartë, me diferencë me ofertën më të ulët 116 milionë lekë ose 9.8% e vlerës së kontratës, ftuar nga bashkimi i operatorëve Kreatx shpk, Prisma shpk dhe Jehona Soft shpk
7. Nga Ujësjellës Kanalizime Durrës sha, ka përfituar tenderin me objekt "Shërbimi i përmirësimit dhe mirëmbajtjes Softëere-it", me fond limit 14.9 milionë lekë dhe vlerë kontrate 14 milionë lekë, fituar nga operator i vetëm në garë pra pa garë dhe në mungesë totale konkurence nga shoqëria Kreatex shpk.
8. Nga Ujësjellës Kanalizime Durrës sha, ka përfituar tenderin me objekt "Implementimi i shërbimit të fiskalizimit dhe mirembajtje vjetore", me fond limit 49.8 milionë lekë dhe vlerë kontrate 47.1 milionë lekë, fituar nga operator i vetëm në garë pra pa garë dhe në mungesë totale konkurence nga shoqëria Kreatex shpk.
9. Nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka përfituar tenderin me objekt "Përmirësim i platformës së shërbimit konsullor online", me fond limit 2 miliardë lekë dhe vlerë kontrate 1.9 miliardë lekë, fituar nga oferta më e lartë, me diferencë me ofertën më të ulët 364.5 milionë lekë ose 19.2% e vlerës së kontratës, ftuar nga bashkimi i operatorëve Kreatx shpk dhe Hard Tech shpk.
Por kush është kjo shoqëri?
Shoqëria KREATX shpk është themeluar në 20.09.2021 nga shtetasit Avenir Çokaj, Enor Nakuçi dhe Lejdi Koçi, të tre 25 – 26 vjecarë. Sipërmarje rinore në formë më të pastër dhe më të pasur.
Në 22.04.2014, Avenir Çokaj i dhuron 5% të shoqërisë shtetasit Florian Demi, 25 vjec , të cilin madje e emërojnë edhe administrator të shoqërisë. Dhuratë bujare siç ndodh shpesh në biznes.
Në 30.04.2014, cuditërisht pas dhurimit, pjesën e mbetur të kuotave, Avenir Çokaj jua shet tre zotëriesve të tjerë për vlerën 35 milionë lekë, vlerë e cila do të shlyej për 30 muaj dhe tashmë shoqëria zotërohej nga Florian Demi, Enor Nakuçi dhe Lejdi Koçi .
Në 07.01.2016, Florian Demi shet kuotat e tij për 3 milionë lekë, pagesë e cila të të kryhej brenda 6 muajve .Një biznes I shpejtë, dalje edhe më e shpejtë.
Në 20.05.2016, shtetasit Enor Nakuçi dhe Lejdi Koçi, i shesin 30% të kuotave të shoqërisë shtetases Lina Sokoli (edhe kjo e njëjta moshë) për vlerën 10 milionë lekë .
Në 08.03.2022, Lina Sokoli shet kuotat e saj shtetasev Enor Nakuçi dhe Lejdi Koçi me vlerë 18 milionë lekë . Hyrje dhe dalje në kohën e duhur ëëëë.
Nëpërmjet Vendimit nr.6 datë 31.12.2024 të Asamblesë së Ortakëve, shtetasit Enor Nakuçi dhe Lejdi Koçi vendosin rritjen e kapitalit të shoqërisë nga 60 mijë lekë në momentin e themelimit në 233.7 milionë lekë, ku secili zotëron 50% .
Nëpërmjet Vendimit nr. 1, datë 29.01.2025, si zotërues i 30% të kuotave me vlerë 100.2 milionë lekë, do të shtohet shtetasi Panajot Gjiknuri, vëllai i ish-Ministrit dhe Deputetit aktual të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri .
Cfarë lidhje ka Panajor Gjiknuri me këtë shoqëri ?
Lidhja e Panajot Gjiknurit me Kreatx shpk dihet botërisht që zotërues në hije prej themelimit të kësaj shoqërie , I cili është vëllai i Damian Gjiknurit, por tashmë zotërues është edhe "me letra".
Nga ndryshimet e shpeshta të zotëruesve dhe vlerat me të cilat transferohen kuotat e shoqërisë, qartësisht ndjehet ifluenca e dikujt më të "fortë", aq më tëpër në përfitimin e tenderave miliarda lekë nga një shoqëri që është zotëruar nga 25 vjecarë. Një histori pronësie që nuk të lë të mërzitesh…..kjo pasi është absurde që disa 25 vjecarë të krijojnë një kompani që të përfitojë miliarda lekë para publike. Pas vertifikimit të bërë nga Xhadat të gjitha tenderat e përfituara nga kjo shoqëri nga momenti që Panajot Gjiknuri "de facto" bëhet pjesë e shoqërisë duke zotëruar 30% të kuotave dhe për periudhën 2014 deri sot, kur ka qënë zotërues në hije, fakt i njojur botërisht.
Për këtë arsye, Xhadat analizuan edhe tenderat e përfituara nga viti 2014 deri në vitin 2025.
· Për periudhën 2014 – 2025, kjo shoqëri ka përfituar në total 44.47 miliardë lekë, si më poshtë:
· 85 procedura prokurimi, me vlerë 44.1 miliardë lekë, nga të cilat 69 procedura prokurimi ose 81.1% e procedurave total, me vlerë 39.5 miliardë lekë ose 89.5% e vlerës total të prokuruar
· 69 procedura prokurimi "blerje te vogla", me vlerë 375.7 milionë lekë
Absurdi më i madh është se, sipas bilanceve të depozituara në QKR në total nga viti 2013 deri në vitin 2023 ka pasur një xhiro prej 11.8 miliardë lekë, ndërkohë për këtë përiudhë kohore ka përfituar 10.3 miliardë lekë tendera. Për hir të së vërtetës, disa nga tenderat janë përfituar si bashkim operatorësh, por edhe nqs përgjysmojmë këtë vlerë në rastin më të keq, sërisht është një shoqëri që ekziston nga paratë publike, të përfituara kryesisht pa garë dhe në mungesë totale konkurence, si oferta më e lartë në kundërshtim me parimin e mirëmenaxhimit të fondeve publike të Ligjit "Për Prokurimin Publik" dhe kriterit të pranuara nga vetë institucionet kriteri i "ofertë ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim" ose ofertës më të ulët si dhe duke skualifikuara të gjithë operatorët ekonomikë përvec fituesit.



