Reshjet e dendura të shiut shkaktuan rrëshqitje dherash, duke bllokuar përkohësisht aksin Librazhd–Prrenjas.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, bllokimi ka ndodhur rreth orës 17:45, kur një stuhi e fortë shiu që përfshiu një pjesë të territorit të Librazhdit shkaktoi vërshimin e ujërave dhe materialeve inerte nga shpatet anësore të kodrave drejt rrugës kombëtare.
Për pasojë, segmente të konsiderueshme të karrexhatës u mbuluan nga dherat, gurët dhe balta, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve në të dy drejtimet.
Burime nga zona bëjnë me dije se situata është rënduar edhe nga punimet që po kryhen për zgjerimin e rrugës, pjesë e projektit të rëndësishëm të Korridorit VIII.
Reshjet intensive të shiut kanë sjellë rrëshqitjen e materialeve në pjesët ku po punohet mbi trasenë ekzistuese, duke krijuar probleme të menjëhershme për qarkullimin.
Si pasojë e bllokimit, në të dy anët e aksit u krijuan radhë të gjata automjetesh, ndërsa drejtuesit e mjeteve u detyruan të prisnin deri në normalizimin e pjesshëm të situatës.
Në zonë u angazhuan mjetet dhe punonjësit e kompanisë që po kryen punimet, të cilët punuan për largimin e dherave dhe gurëve nga rruga.



