Deputeti socialist, Musa Ulqini, e cilëson ëndërr me sy hapur pritshmërinë e PD-së për të bërë aleancë me Metën. Në një intervistë në “Ora”, Ulqini u shpreh se PD-ja nuk arrin dot të motivojë as mbështetësit e vet.
“Opozita shpreson që të fitojë duke parë ëndrra me sy hapur apo me sy mbyllur që Ilir Meta sot, nesër apo pasnesër do t’i bashkohet kësaj force politike. Nuk është serioze mendoj unë dhe nuk është diçka që motivon edhe militantët e kësaj partie”, tha ai.
Ulqini u shpreh se koalicioni me LSI-në mbetet strategjik dhe pavarësisht problemeve, reformat e tij kanë funksionuar.
“Koalicioni PS-LSI është strategjik. Kjo është provuar sepse të gjtiha reformat madhore nuk do të ishin bërë nëse nuk do ishte ky koalicion. Është një koalicion që i ka dhënë frutet e veta. Ky koalicion ka patur edhe debate, probleme sepse është një koalicion i madh. Nuk di në ndonjë rast që gjërat e mëdha nuk kanë rezultuar siç duhet. Të gjitha reformat tona e kanë vulën e këtij kolaocion dhe askush nuk mund të thotë që nuk ka funksionuar”, tha ai.



