Hysen Hidri, i verbër i kategorisë së parë tha për emisionin “Fol” të gazetarit Erion Skëndaj se kjo shtresë është e persekutuar dhe se 13 500 lekë që jep shteti për një kujdestar nuk mjaftojnë pasi askush nuk pranon të shërbejë me këtë pagë.
Duke vijuar shpjegimin e tij, Hidri tha se në zonën ku ai jeton në fshatin Shesh i Madh në Ndroq nuk ka infrastrukturë dhe se ndihma nga shteti të verbërve i duhet për tu pajisur me mjete teknologjike.
Jam i verbër i grupit të parë, 68 vjeç, banoj në Shesh në Ndroq. Rrofshin kanalet për të verbrit që i përqafojnë pasi nuk ka infrastrukturë, jam i vetmuar, jam në dilemë karshi shtetit, dhe kujdestarët nuk i kanë mundësitë të na ndihmojnë me 13 500 leke. Unë kam dy vajza, gruaja më ka vdekur, jam i vetëm në shtëpi. Kush të vjen me këtë pagë. Nuk e lë burri të më shërbejë mua ashtu siç duhet. Kriza për mua ka filluar që me tërmetin që më plasariti shtëpia dhe nuk erdhi njeri të më shohë. Shtëpia ime është e plasur dhe në pandemi nuk mu ofrua asnjë ndihmë, më sulmoi deri në fund kryetari i njësisë bashkiake. Ka infrastrukturë të dobët. Unë jam edhe invalid pune, kam të ardhura, por 135 mijë lekëshi i verbërisë na jepen për pajisje teknologjike. Porosita një shkop sot, më duhet, i porosisim nga bota. Jemi të persekutuar, lus perëndinë t’ia hedhë këtë hall edhe qeveritarëve. Mua ka ardhur duke mu rënduar jeta.
Ndërsa Leonard Agalliu, kreu i Shoqatës së të verbërve në Tiranë tha se pjesa më e madhe e kësaj shtrese hasin vështirësi në drejtim të shërbimeve. Ai tha se nga 2012 nuk ka pasur rritje të ndihmës për të verbrit vetëm indeksim të kësaj.
Sot vëmendja duhet të jetë tek shtresat në nevojë, jemi në kulmin e krizës, paketa e ushqimeve bazë ka pësuar rritje 30 %.
Tirana ka 1800 anëtarë të verbër ku pjesa dërrmuese janë mbi 65-70 vjeç, hasin vështirësi dhe në drejtim të shërbimeve, të vështirësisë së jetës që ata përballen. Sa i përket pagesës që merr një person i verbër është bërë një indeksim por është e pamjaftueshme për nevojat që ata kanë. Indeksimi mbi bazën e inflacioni është bërë në shtator i bie 7.5 % indeksim. Nuk mund të themi rrije, por indeksim. Një person i verbër nga 2012 e më pas nuk ka pasur asnjë ngritje ka ngela pagesa e 2012. Po të flasim për çmimet e larta, do të thotë që jemi në vështirësi, jo të ushqehemi e të jetojmë mirë po s’paguajmë dot energjinë, ujë dhe shërbimet që na duhen. Për të gjithë të verbrit dora e shtetit është zero, ne s’kemi nevojë për 10 mijë lekë të vjetra, nëse mallrat e shportës sot shkojnë gati 2 mijë lekë.



