
Ka përfunduar numërimi i fletëve të votimit në garën për Bashkinë e Kukësit, ku kandidati i PS ka fituar përballë kundërshtarit të "Bashkë Fitojmë" me mbi 5 mijë vota diferencë.
Në 74 kuti të numëruara rezulton se Albert Halilaj i Partisë Socialiste ka grumbulluar 13025 vota, ndërsa Emri Vata, kandidati opozitar i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka marrë 7431 vota.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme lokale të Bashkisë së Kukësit ishte 45.63%.
08:51 Zgjedhjet për kreun e bashkisë në Kukës/ Kandidati i mazhorancës kryeson me 64% të votave
Ka vijuar gjithë natën procesi i numërimit në qytetin e Kukësit, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme që u zhvilluan këtë të dielë në për kryetarin e Bashkisë së Kukësit.
Kandidati socialist per bashkine Kukes, Albert Halilaj është duke udhëhequr garën elektorale përballe rivalit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata.
Deri më tani KQZ raporton se nga 49 Qendra Votimi të numëruara në total, kandidati i Partisë Socialiste, Albert Halilaj udhëheq ndjeshëm me 8294 vota ose 64.17 për qind të votave.
Në anën tjetër, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata, ka arritur të marrë 4631 vota ose 35.83 për qind të tyre sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Më 14 maj, kuksianët votuan në masën 51.78 për qind dhe zgjodhën Safet Gjicin si kryetar.
Por, një videoskandal i këtij të fundit, i publikuar vetëm pak javë pas zgjedhjeve, bëri që të shkarkohej nga detyra.
Megjithatë, procesi në Kukës ka qenë tejet i qetë dhe me pak raste të denoncuara publikisht nga opozita.
Në procesin zgjedhor të djeshëm morën pjesë në votime 45.63% e zgjedhësve, ose nga 41 816 zgjedhës në qendrat e raportuara kanë votuar 15 856 zgjedhës.



