Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës u diskutua për rijetëzimin e Pallatit të Kongreseve, ku opozita ka ngritur dyshime se parashikohet ngritja e kullave.
Gazetari Mariglen Kume raporton për edicionin e lajmeve në MCN TV se trualli përreth Pallatit të Kongresve do t’i kalojë Ministrisë së Financave.
Ai shton se ende s’dihet nëse kemi të bëjmë me shembje, apo rikonstruksion dhe me ndërtime të larta përreth godinës.
“Është bërë pjesë e debatit nga anëtarët e opozitës, projektvendimi për rijetëzimin e Pallatit të Kongreseve. Ky projektvendim parashikon kalimin e Pallatit të Kongreseve dhe pronave përreth tij në pronësinë e Ministrisë së Financave, që në bashkëpunim me Korporatën e Investimeve do të ndjekin të njëjtën formulë që është ndjekur edhe më herët për pronat publike, për PPP-të, ku privati paraqet projektin e zhvillimit të zonës, dhe shteti duke marrë pjesën e tij për të zhvilluar të njëjtat aktivitete, ndërkohë privati mund të ndërtojë më tepër. Në projektvendimin e bashkisë, Ministrisë së Financave do t’i jepet një pjesë e mirë e truallit që ndodhet përreth Pallatit të Kongreseve. S’e dimë cili do jetë projekti ekzakt, nëse do kemi të bëjmë me shembjen e tij, apo rikonstruksion ndërtimin e kullave përreth tij, që tashmë janë të gjelbërta apo publike. Sipas opozitës gjasat janë, duke qenë se do t’i jepet Korporatës së Investimeve do të ndodhë e njëjta gjë si me godinën e ATSH, apo Kadastrën, do të ngrihen kulla”.



