
Një program i ri me vlerë 1 miliard euro, i cili synon të mbështesë OJQ-të që promovojnë vlerat demokratike dhe shoqërinë civile, është propozuar në Parlamentin Europian.
Propozimi është pjesë e buxhetit të ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Europian, i cili nis në vitin 2021.
Në maj të këtij viti, Komisioni i BE, gjatë diskutimeve për planin e buxhetit propozoi bashkimin e disa programeve ekzistuese në fondin e ri 'Drejtësia, Të Drejtat dhe Vlerat' për të mbështetur OJQ-të që mbrojnë vlerat evropiane, të cilat konsiderohet se janë shkelur në disa shtete anëtare.
Europarlamentarja suedeze, Bodil Valero, në raportin e prezantuar sot, kërkon dyfishimin e fondeve për këtë program.
Ajo thotë se kur është fjala për mbështetjen e organizatave të të drejtave të njeriut dhe monitorimin e tyre, BE investon shumë jashtë Unionit, në një kohë kur ka lindur nevoja për t’i mbështetur këto organizata edhe në shtetet anëtare.
Propozimi vjen në një moment kur BE ka nisur hetimet ndaj Polonisë dhe Hungarisë, për të kontrolluar nëse janë vënë në rrezik apo janë shkelur vlerat dhe ligjet europiane, si edhe ka ngritur shqetësime të ngjashme edhe për Rumaninë dhe Maltën.
Vitin e fundit, tre gazetarë që kanë hetuar korrupsionin në lidhje me fondet e BE-së në Maltë, Sllovaki dhe Bullgari, janë vrarë.
“Na duhen më shumë fonde, në total rreth 2 miliard. Për këtë i kemi shtuar një pjesë të re propozimit, i cili ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe vlerat europiane”, thotë Valero.



