Eksperti i Ekonomisë Selami Xhepa foli përmes një lidhjeje skype në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027 nga Ministria e Financave. Xhepa tha që dy alternativat e qeverisë mbi taksimin progresiv, mund të jenë rritja e shkallës tatimore mbi 23 për qind, ose zgjerimi i kufirit të pagës ku aplikohet taksimi 23 për qind. Megjithatë ai thotë se vet është pro taksës së sheshtë dhe jo progresive.
“Në dokumentin e strategjisë 2024-2027 s’ka asnjë ndryshim, por hidhet hipoteza që pas vitit 2027 të diskutohet ideja e ndryshimit të taksimit progresiv, duke e thelluar progresivitetit. Një alternativë mund të jetë një shkallë tatimore mbi 23 për qind. Alternativë tjetër mund të jetë zgjerimi i kufirit të pagës ku aplikohet 23 për qindëshi. Unë mbetem konseguent mbi nevojën që ka ekonomia e Shqipërisë për një taksë më të lehtë dhe të sheshtë, me rregullime specifike që kanë të bëjnë me grupimet shoqërore me të ardhura të ulëta. Nëse do flasim për një nivel më të lartë taksimi mbi 23 për qind, duhet të aplikohet për paga mbi 5 mijë euro. Zbutja e taksës për shtresat e mesme është theksuar në strategji. Kjo lë të kuptosh që kufijtë ku do aplikohet norma më e ulët tatimore 10-13 për qind do jenë për një fashë më të madhe të ardhurash. Por deri në 2027-ën nuk duket të ketë ndryshim për këtë lloj tatimi. Do kemi ndryshime të rëndësishme në akciza. Do eliminohen privilegjet fiskale për disa sektorë, duke shkuar te norma standarde e tatimit mbi fitimin që është 10 për qind. Do prezantohet një sistem i ri tatimor edhe për biznesin e vogël”.
Lidhur me shmangien e pagesave cash, Xhepa tha se Shqipëria është vite dritë larg vendeve të zhvilluara të botës. Sa i takon strategjisë së qeverisë ai tha se pritet të ulet kufiri ligjor për pagesat cash nga bizneset.
“Edhe për paratë cash, për të reduktuar informalitetin. Në biznes është ulja e kufirit ligjor për pagesat cash, me idenë që të shmanget informaliteti. Ideja është që prezantohen platforma si do bëhet edhe kontrolli që mos abuzohet sistemi i ri i propozuar. Ne jemi vite dritë larg, ka vende si nordiket, ku jo bizneset, por as qytetarët s’kryejnë pagesa në Cash. Por ka disa probleme teknike që do vazhdojnë të jenë. Një pjesë e bizneseve s’janë të pajisuara me aparaturat për kartat, disponueshmëria e internetit, etj etj”.



