Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se këtë vit do të ketë ngarkesë si asnjëherë më parë në Kuvend, pasi numri i ligjeve që duhet të kalojnë do të jetë më i larti ndonjëherë për shkak të procesit të negociatave.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ai shtoi se lind nevoja për të rritur angazhimin, punën dhe numrin të seancave parlamentare.
Rama ngriti si shqetësim se orët e vëna në dispozicion të deputetëve të opozitës janë shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare marrin në parlamentet e Bashkimit Europian dhe se duhet të ndërpriten orët e marra me forcë dhe në shkelje të etikës parlamentare, duke i cilësuar si pengmarrje.
Duhet ta ritheksoj që në ndarjen e mandateve në Kuvend, diferenca është shumë e madhe. Në ndarjen e orëve të fjalës në Kuvend, po të shikosh nga orët duket sikur jemi në një parlament 51 me 49. Që domethënë se orët e vëna në dispozicion të deputetëve të opozitës janë shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare marrin në parlamentet e Bashkimit Europian.
Nuk dua të them se duhet t’i ulim orët opozitës por të shikojmë se si duhet të ndërpriten orët e marra me forcë, me abuzim, në shkelje të plotë të etikës parlamentare duke përdorur procedurën për të marrë peng jo kuvendin por publikun, për një ose dy orë kur fillon seanca dhe pushtuar sallën e parlamentit duke i vendosur deputetët e shumicës në pozitën e atyre që janë spektatorë të një teatri balte. Duhet të mbarojë. Në asnjë parlament demokratik dhe të BE kjo gjë nuk i lejohet asnjë force politike.
Sipas tij, rregullorja e parlamentit nuk është shkruar në gur dhe se duhet të ndërhyhet që fjala procedurë të mos jetë e barabartë me konceptin pengmarrje.
Kryeministri shtoi se duhet të mendohet edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshimet kushtetuese për të reduktuar numrin e deputetëve nga 140 në 100.
Kemi shtruar që në krye të këtij mandati nevojën që parlamenti të zvogëlohet në numër. Kemi një parlament me 140 vetë dhe mund të kemi një me 100 vetë gjë që do ta mirëpriste publiku, dhe do të racionalizonte forca dhe burime.



