
Kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë shtuar së fundmi dhe në media janë raportuar me dhjetëra sekuestrime dhe moslejim tregtimi të produkteve të ndryshme ushqimore, që janë gjetur në shkelje të kushteve të duhura higjieno-sanitare. Rasti i fundit është ai i 27 ton fileto pule nga Brazili, të cilat kanë rezultuar me salmonelë. Paralelisht me këto raste, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, deklaron nga Korça për punën e filluar prej institucioneve dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, duke garantuar siguri ushqimore, shumë shpejt dhe madje në masën 100 për qind për produktet bazë.
Ndërkohë që ministri Peleshi bën këto deklarata, ish-ministri Edmond Panariti është prononcuar për TemA TV lidhur me deklaratën:
“Nuk e besoj ta ketë thënë!... Do ishte shumë naive dhe qesharake. Siguri ushqimore 100 %...nuk e ka as BE, as SH. B. A, as Zvicra... asgjëkundi.. ku çdo vit në kuadër të monitorimit të zinxhirit ushqimor zbulohen agjentë ndotës, falsifikues edhe të prodhimeve dhe prodhues të markës, me të gjitha kartat në rregull.... Por sigurisht ndihet 100 % i sigurt ai vend që nuk arrin t’i zbulojë, sepse laboratorët i ka jashtë loje dhe shërbimin e kontrollit një farsë...”
I pyetur se nëse mund të realizohet kjo siguri ushqimore po të jepet me konecsion Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit, ai reagon: Mos e dhëntë Zoti! Është njësoj si t’i japim sigurinë kombëtare në koncension privatit. Mjerisht kontrolli ushqimor konsiderohet si atribut policor... dhe jo certifikim analitik, laboratorik dhe interpretim shkencor ...Propozoj që AKU, tani e tutje të quhet Autoriteti i Policisë Ushqimore!”, përfundon ai.
Përballja për garancinë 100% të produkteve ushqimore që tregetohen ne Shqiperi mund të gjejë shpejgim realist duke referuar shembujt nga vende të tjera. Mesa duket, ministri i Bujqësisë ose di diçka që të tjerët nuk e dinë, ose është shumë optimist.
Vetëm dje në Itali raportohet për një hetim në shkallë të gjerë që ka të bëjë me proshutën San Daniele. 103 vetë janë të dyshuar për hedhjen në qarkullim të 270 mijë copë produkte proshutë me një vlerë prej 27 milionë euro, e cila është sekuestruar, pasi nuk përmbushte sigurinë ushqimore. Me këto numra kanë përfunduar hetimet paraprake të Prokurorisë së Pordenones mbi skandalin "Prosciuttopoli". Janarin e kaluar, Prokurori Publik i Torinos kishte urdhëruar konfiskimin e mijëra këmbëve “Duroc” të mishit të derrit të destinuar të përfundonin ilegalisht për proshutë San Daniele. Historia ka qenë nën hetim për gjashtë muaj nga Ministria e Bujqësisë të Institutit të Cilësisë në Parma dhe Certifikimet Ifcq, të cilat zbatojnë kontrollet në zinxhirë të ndryshëm të tyre për produktet e mishit dhe djathit, duke përfshirë edhe proshutën San Daniele. Bëhet fjalë për shumë krime, si fiskale dhe mjedisore, sipas prokurorisë, duke përfshirë edhe një komplot për të mashtruar në tregun e produkteve ushqimore në përcaktimin e origjinës së mbrojtur DOP. Do të mjaftonte vetëm ky rast për të rrëzuar si të nxituar premtimin e z. Peleshi, që drejton sot që flasim agjenci si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që vuan mungesën e fondeve, por edhe të personelit. Pa folur për dallimin tjetër të madh me vendet e tjera e që është fshehja e subjekteve importuese, të cilave u sekuestrohet apo kthehet mbrapsht malli i tregtuar.



