
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka lënë të kuptohet se Greqia nuk është e vetmja që heziton kur është fjala për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve pas takimit që ai pati me Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, në Athinë, Kotzias tha se Greqia dëshiron plotësimin e kritereve që do ta çojnë Shqipërinë drejt BE-së, por ka vende të tjera që po i shikojnë gjërat në mënyrë më strikte.
“Sa i përket zgjerimit, Komisioni Europian ka kritere të limituara përsa u përket disa shteteve. Kur raportet e Komisionit mbërrijnë në Këshill, ne shtojmë kritere që i shohim të nevojshme. Për shembull, në rastin e Shqipërisë u ngrit vetëm çështja e sistemit gjyqësor, por u plotësua me të tjera kritere, të cilat përbëjnë çështjet kryesore. Ne dëshirojmë që Shqipëria t’i zgjidhë këto çështje. Ne duam të kontribuojmë në zgjidhjen e tyre dhe kërkojmë t’i zhvillojmë më tej marrëdhëniet. Por duhet të keni parasysh se ka edhe vende të tjera që, pavarësisht se nuk i kanë ngritur këto çështje në fillim, por i rimendojnë në një mënyrë shumë strike, madje më strikte seç i kemi menduar ne”, tha ai.
I pyetur nëse kjo do të thotë se ka vende të tjera që mund të vendosin veto, Kotzias u tregua shumë i rezervuar. “Atë që kisha për të thënë, e thashë”, përfundoi ai.



