
Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot në orën 16:00, ku pritet që të merret vendimi për masa të reja anti-COVID.
Sipas masave të cilat tashmë janë diskutuar, pritet që masat të zgjasin nga 1 shtatori deri më 13 shtator, ndërsa është paraparë edhe rikthimi i kufizimit të lëvizjes.
Sipas diskutimeve, që ka bërë ministri i shëndetësisë, Arben Vitia pritet që masat e reja të cilat do të jenë të vlefshme deri më 13 shtator të jenë këto:
Viti i ri shkollor të shtyhet deri më 13 shtator, ku do të rivlerësohet situata.
Të kthehet ora policore nga ora 22:00 deri në 05:00.
Gastronomia të mbyllet nga ora 21:30.
Të shtohet staf shëndetësor dhe inspektorë rreth 1 mijë e 116.
Kujtojmë se në 24 orët e fundit, si rezultat i 12.564 testimeve, kanë rezultuar pozitivë 2.098 qytetarë.
Fatkeqësisht, 16 qytetarë nuk kanë mundur ta fitojnë betejën me koronavirusin, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 2.404.
Kosova do të furnizohet me rreth 470 mijë vaksina nga COVAX gjatë javës së parë të shtatorit.



