
Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, thotë se mungesa e politikave të mirëfillta bujqësore e ka penguar këtë sektor të kthehet në biznes efektiv. Në studion e MCN Economy, Buxhuku tha se pa një bujaqësi të zhvilluar, progresi i vendit është i ngadaltë.
Bujqësia nëse nuk ka politika shtetërore nuk është biznes efektiv. Problemi shtrohet a kemi ne politika të tilla? Këtu duhet të kemi parasysh faktin shumë të rëndësishëm që të gjitha paratë që hidhen fondet e BE, të kthehen në bumerang sepse ti duhet t’i mbështesësh në të njëjtën masë. Dhe tjetra. Ti duhet të kesh një politikë të ingranuar, zinxhir. E them që ne jemi larg, me përjashtim të nismave spontane. Shqipëria ka problematika kur vjen puna te bujqësia. Pa pasur një bujqësi të zhvilluar e kemi të vështirë të ecim përpara. Ti do përdorësh burimet që ke këtu. E parë çfarë ndodhi me luftën Ukrainë-Rusi. Bujqësia ka të bëjë me garantimin e sigurisë kombëtare.
Sipas tij, çmimi i lartë i tokës bujqësore është një tjetër pengesë.
Çmimi i tokës bujqësore në Shqipëri është shumë i lartë. Në Lombardi që është qendra industriale jo vetëm e Italisë, por edhe e Europës. Çmimi i tokës 2-3 euro, tokë bujqësore, e mbjellë. Ne e kemi të lartë çmimin e marrim për tokë bujqësore dhe e kthejmë për zhvillim. E dyta lidhet me paratë e zeza që hidhen. Ato rrisin çmimin dhe synojnë ta kthejnë në tokë-truall. Të kesh çmimin e tokës bujqësore më të lartë se të gjitha vendet e BE, kjo do të thotë se ti që në start je në disavantazh. Këtu e blen 20 euro metrin katror. Si do ta kthesh këtë 20-shen në prodhim bujqësor? Nuk e kthen dot. Ekonomia është ekonomi e deformuar. Nuk ka shtet në botë që ecën përpara nëse bazohet te paraja e zezë. Shto këtu edhe gangrenën, çështjen e pronësisë.



