Rindërtimi, Tomorri: Në procedura emergjente abuzimet janë më të mëdha. Duhej ndërprerë ndërtimi në vendet e pasigurta (VIDEO)

Rindërtimi, Tomorri: Në procedura emergjente abuzimet janë më të mëdha. Duhej ndërprerë ndërtimi në vendet e pasigurta (VIDEO)

Eksperti i ekonomisë Klodian Tomorri, për procesin e rindërtimit të nisur në vitin 2019, thotë se menjëherë pasi qeveria përfundoi procesin e vlerësimit të dëmeve që shkaktoi tërmeti nisi programin e rindërtimit dhe deklaroi dhe afatet se si do të ezaurohet ky proces.

Në një intervistë për emisionin “FactCheck”, Tomorri deklaroi se në atë kohë ish-ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe më vonë dhe vetë Kryeministri Edi Rama, u zotua se 80% e banorëve të pastrehë do hynin në banesa para vitit 2021 dhe i gjithë procesi do përfundonte në 2022, ku fillimisht do të strehoheshin familjet që jetonin në banesa individuale.

Por ai tha se sot jemi në një fazë ku shumë investime, në pallate dhe ato individuale janë ende në proces dhe familjet nuk kanë hyrë ende në banesat e tyre.

Tomorri shprehet se programi i rindërtimit ishte program madhor dhe përfshinte institucione të ndryshme, ku qeveria ishte në rolin e trupës që miratonte kuadrin rregullator dhe ligjor se si do të vazhdohej me programin e rindërtimit, ndërkohë ishin dhe një sërë institucionesh të tjera të cilët kishin rolin e ekzekutuesit apo zbatuesit të programit të rindërtimit.

Qeveria miratoi kuadrin ligjor, më pas u caktuan njësitë e pushtetit vendor për të bërë procedurat e prokurimit të banesave të reja dhe në disa raste fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Sigurisht që ky ishte një proces kompleks, pati institucione të tjera që caktonin terren se ku do ndërtohej, kryesisht këto ishin njësitë e pushtetit vendor që më pas merrnin konfirmime nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës lidhur me disponueshmërinë e terrenit.

Vetë ministria e Rindërtimit nuk ka patur rol në procesion e prokurimit të banesave të reja, tenderat e rindërtimit i kanë bërë njësitë e pushtetit vendor ose Fondi Shqiptar i Zhvillimit sipas rastit.

Ajo që ndodhi ishte se për shkak të situatës emergjente, qeveria i justifikua dhe zgjodhi të zgjidhte një procedurë ekstraligjore të prokurimit, e cila ishte që tenderat që zhvilloheshin për rindërtimin e banesave nuk i bindeshin në masën 100% ligjit të prokurimeve publike, por zgjidhej një procedurë e cila ishte më e relaksuar, e anashkalonte ligjin në momente të caktuara gjithmonë me argumentin e situatës emergjente.

Për këtë arsye ka pasur dhe kundërshtime nga FMN e cila i ka bërë thirrje qeverisë, që i gjithë procesi duhet të jetë me garë normale dhe jo me gara relativisht të mbyllura apo emergjente, për të mos hapur shtigje për abuzim.

Historia tregon se kur ka procedura emergjente abuzimet janë më të mëdha, e pamë këtë edhe me tenderat gjatë pandemisë, për materialet mjekësore për pandeminë, por që më pas filloi një lojë ping pongu, e kujt ishte përgjegjësia, ishte në nivel politik e ministrave apo zyrtarëve më poshtë që kishin zhvilluar procedurat e prokurimit.

Për shkak se u zgjodh një procedurë emergjente dhe e përshpejtuar risqet e abuzimit me procesin e rindërtimit kanë qenë të mëdha.

Ishte specifike dhe rast pas rasti, në rastet ku ishin banesa dhe mund të rindërtoheshin në vendin ku kishte qenë në parë.

Por në shumë raste është ndjekur procedura e krijimit të mjediseve urbane, në fshatra të caktuar apo qytete, ku banorët janë zhvendosur në një terren të ri ku janë ndërtuar lagje të reja.

Përzgjedhja e terrenit ka qenë pjesë e bashkive që zgjidhnin tokën, sigurisht kërkonin konfirmimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Mbi statusin e pronës së përzgjedhur, ku nëse kjo pronë rezultonte shtetërore vazhdonte procesi.

Nuk e di nëse institucionet e kanë vlerësuar paralajmërimin e Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore se në këtë terren nuk mund të ndërtohet për shkak se nuk është i sigurtë dhe mund të ketë pasoja.

Ato do të duhet ta kishin marrë parasysh, por procedurat emergjente dhe nevoja e politikës për të mbyllur sa më parë këtë proces për t’iu treguar qytetarëve se ne vazhduam me programin e rindërtimit dhe po ju japim banesat e reja, se ky ka qenë një proces që është përdorur dhe për fushatë dhe për zgjedhje.

Janë publikuar fakte se si në prag të zgjedhjeve janë disbursuar para për mijëra familje të cilat ishin prekur nga tërmeti i vitit 2019, me qëllim ndikimin e procesit elektoral dhe orientimin e votës që të përfitonte sigurisht mazhoranca apo qeveria në pushet.

Por në rastin kur një institucion shtetëror jep paralajmërimin se në këtë territor nuk mund të ndërtohet për shkaqe të sigurisë, sigurisht që bashkia apo Fondi i Zhvillimit i cili në rastin konkret rezulton enti prokurues, do të duhet të ndërpriste procesin, të merrte, të shikonte të gjithë elementët e sigurisë dhe nuk mund të vazhdonte pa marrë viston nga institucionet që kanë detyrimin ligjor për të garantuar sigurinë, në këtë rast AKBN, Instituti i Ndërtimit e kështu me radhë.

Në këtë rast kemi të bëjmë me një shkelje të ligjit që ka qenë më i lehtë për tu shkelur, për shkak të procedurave emergjente.

Një pjesë e banorëve nuk kanë qenë dakord me terrenet e reja ku janë ndërtuar banesat e reja dhe ku atyre u është kërkuar të shpërngulen.

Një banor që kishte një shtëpi në fshat dhe afër kishte tokën bujqësore dhe nxirrte të ardhura, mund t’i jetë kërkuar të zhvendoset në banesën e re që ka qenë larg.

Ka pasur kundërshtime nga shumë familje të prekura nga tërmeti.

Faktori i dytë është procedura burokratike që e kanë zvarritur procesin e rindërtimit në kohë dhe po hyjmë në vitin e pestë dhe kemi një proces të papërfunduar dhe për sa i përket pallateve, kemi pallate të cilat nuk kanë filluar ende në terren apo kanë filluar dhe janë në fazat e para të ndërtimit të tyre.

Mos përfundimi i ndërtesave të reja është një faktor tjetër që i ka lënë banorët jashtë, të paakomoduar në ndërtesat e reja. Ne kemi edhe në kryeqytet lagje që ende nuk kanë përfunduar.

Ndërprerja e bonusit të qirave për familjet që kanë mbetur të pastreha për sa kohë shteti nuk ka garantuar banesat e reja është një masë që i dëmton këto familje dhe është një masë e pajustifikueshme.

Por duhet parë rast pas rasti, se mund të ketë familje që u janë ofruar banesat e reja dhe nuk kanë pranuar të hyjnë, vetëm për të marrë bonusin e qirasë.

Madje ka pasur familje që preferonin të rrinin në çadër vetëm për të marrë bonsuin e qirasë dhe nuk pranonin të hynin.

Tomorri thotë se një ditë, një ditë do të mbyllet edhe procesi i rindërtimit, pasi investimet që kanë nisur do të duhet të përfundojnë, por nënvizon se koha do ta varet nga disponueshmëria e fondeve, parave që qeveria jep për rindërtimin, nuk ka asnjë justifikim që procesi të zvarritet më tej.

Shifra ka arritur gati 1 miliardë euro dhe do të duhet së pari KLSH dhe pastaj prokuroria në bazë të indicieve të ndryshme nga media apo qytetarë, të verifikojë nëse paratë janë shpenzuar me efektivitet, apo nëse gjatë procesit të rindërtimit ka pasur abuzime masive dhe është shfrytëzuar situata emergjente për të abuzuar me fondet e taksapaguese.

Gjithmonë në programe të tilla kaq të mëdha që kalojnë me procedura ekstraligjore rreziku për abuzim dhe korrupsion është maksimal, ndaj duhet të kalojë në një filtër kontrolli.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy