Fred Trump III ka ngritur shqetësime të reja në lidhje me shëndetin mendor të Donald Trump, duke i lidhur ato me një histori të gjatë familjare të sëmundjes së Alzheimerit.
Në një intervistë radiofonike, nipi i Presidentit amerikan përshkroi shenjat e sjelljes që ai ka vërejtur në fjalimet dhe paraqitjet publike të xhaxhait të tij, të cilat i kujtojnë rënien e aftësive njohëse të gjyshit të tij Fred Trump Sr., i cili vdiq pas një beteje tetëvjeçare me sëmundjen e Alzheimerit.
Fjalët e tij nuk janë akuzë, por një thirrje për transparencë: “Ne kemi nevojë për më shumë qartësi, veçanërisht për ata që udhëheqin një vend të rëndësishëm si i yni.”
Në një intervistë me SiriusXM, Fred Trump III foli për shqetësimin e tij në rritje pasi vuri re sjellje te presidenti të ngjashme me ato që përjetoi me gjyshin e tij Fred Trump Sr., i cili vdiq në vitin 1999 pas vitesh me sëmundjen e Alzheimerit.
“Unë nuk jam mjek, por i njoh ato shenja”, tha ai. Nipi i Trump kujtoi se si xhaxhai i tij lufton për të ruajtur koherencën në diskursin publik, duke sugjeruar që familja duhet ta trajtojë çështjen hapur, nga respekti për rolin e tyre institucional.
Fred Trump III e fton hapur Donald Trumpin të bëjë një test për aftësitë e tije mendore.
Një përmbysje rolesh, duke pasur parasysh se në vitin 2020 ishte vetë Presidenti Trump që u mburr me rezultatet e marra në Vlerësimin Kognitiv të Montrealit, duke i kërkuar rivalit të tij të atëhershëm Joe Biden të bënte të njëjtën gjë.
“Nuk është një çështje politike, është një çështje e shëndetit publik. Kushëriri i Donaldit, John Walters, kishte demencë. Kjo është trashëguar në familje. Ai duket më i vjetër. Dhe e kuptoj... kushdo që është në atë zyrë duket ndryshe nga sa del”, shpjegon nipi i tij, duke kërkuar që të merret në konsideratë edhe gjenetika familjare.
Si manifestohet Alzheimeri/ Kur flasim për sëmundjen e Alzheimerit, mendimet tona të para shpesh shkojnë te humbja e kujtesës. Dhe aty fillojnë të shfaqen shenjat e para: harresa e përsëritur, siç janë takimet ose emrat e sapodëgjuar, ose pyetjet e përsëritura disa herë brenda pak minutash. Por nuk është vetëm çështje kujtimesh: ata që preken nga sëmundja mund të kenë vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme që i bënin natyrshëm më parë, siç është gatimi i një recete të njohur ose menaxhimi i llogarive të thjeshta.
Një tjetër shenjë paralajmëruese është konfuzioni në lidhje me datat dhe vendet, mund të ndodhë që dikush të mos jetë më në gjendje të orientohet në kohë ose të njohë mjedise të njohura. Edhe gjuha mund të bëhet më e varfër dhe më pak e rrjedhshme, me fjalë që dalin jashtë dhe fjali të ndërprera në mes. Ka edhe ndryshime në sjellje, si humor i paqëndrueshëm, tërheqje nga aktivitetet shoqërore, nervozizëm dhe gjykime jashtë kontekstit. Simptoma që të marra individualisht, mund të duken të parëndësishme ose të lidhura me moshën. Por nëse ndodhin së bashku dhe shpesh, ato meritojnë vëmendje dhe mbi të gjitha, një vlerësim të plotë mjekësor.
Në moshën 77 vjeç, Trump është tani presidenti më i vjetër në historinë e SHBA-së. Në një kontekst politik që shqetësohet gjithnjë e më shumë për moshën dhe aftësitë njohëse të udhëheqësve, çështja e ngritur nga nipi i tij rrezikon të marrë një peshë gjithnjë e më të madhe. Rasti është pjesë e një skenari edhe më delikat, duke pasur parasysh se ish-Presidenti Joe Biden, pas muajsh presioni dhe spekulimesh rreth shëndetit të tij mendor, ka njoftuar tërheqjen e tij nga gara për rizgjedhje në korrik 2024, duke i lënë Partisë Demokratike të zgjedhë një kandidate të re, Kamala Harris. Për momentin, Shtëpia e Bardhë nuk ka lëshuar një përgjigje zyrtare ndaj deklaratave të Fred Trump III, por çështja mund të dalë në pah me forcë në javët në vijim.



