NoahStradamus, Presidenti i 360M Record, ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin Sunset Blv, në Mcn Radio dhe TemA TV, i cili foli rreth eksperiencave që ka pasur me artistë të ndryshëm shqiptarë dhe ndër të tjera u ndal tek emisioni "Free Style Show" ku foli edhe për suprizën që ai ka për fituesin e këtij kompeticioni: Një kontratë me 360M Record.
NoahStradamus, i cili është me origjinë shqiptare, por që ka lindur dhe jeton në New York të SHBA-së, gjithashtu foli për projektet që ka nisur në bashkëpunim me këngëtarin Bojken Lako, i cili ishte gjithashtu i ftuar në Sunset Blv dhe e ka prezantuar me artistët shqiptarë me të cilët ai bashkëpunon.
NoahStradamus, është shprehur se ka për qëllim të promovojë muzikën dhe artistët shqiptarë në skenën ndërkombëtare. Ai tha se për këtë ka në plan që produksionet në bashkëpunim me artistët shqiptarë t'i publikojë në 200 portale të shpërndara në të gjithë botën. Kjo do të bëjë të mundur që krijimet e tyre të dëgjohen nga një publik më i gjerë sesa vetëm ai shqiptar.



