
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, foli në emisionin “Skaner” në MCN TV, për të ardhmen e tij. Reja u shpreh se Shqipëria nën drejtimin e tij ka pasur rritje.
Referuar rezultateve të fundit, italiani tha se nuk mund të bënte mrekullinë, duke parë mungesat e shumta të lojtarëve.
Ai shtoi se do të ulet me presidentin Duka dhe do të vendoset e ardhmja, ku shtoi se në rast se nuk bien dakord, do të rikthehet andej nga ka ardhur.
E ardhmja? Kjo nuk varet nga unë, varet nga kush është me mua. Nga ai që më njeh dhe ata që kanë konsideratë për mua. Kjo do të flitet pas nëntorit, kur të përfundojë kontrata. Nuk dua të flas për kontrata, por për mua nuk përbën problem. Unë shoh ende lojtarë që më marrin në telefon të shqetësuar, sepse kemi raporte të mira. Nëse ju doni trajnerë të tjerë dhe unë e kuptoj, sepse nga sa kam ndjekur, dhe kritikat janë gjithmonë prezentë. Por, çfarë kërkoni më shumë?! Kur mora drejtimin e Kombëtares, renditeshim në vendin e 35-të në Europë. Tani jemi në vendin e 27-të. Fituam grupin në Ligën e Kombeve. Mendonim për një moment që po shkonim për pak në play off e Botërorit. Nuk e di se çfarë kërkoni më shumë. Ne thjesht gabuam në ndeshjen me Islandën. Jo se luajtëm keq, por sepse kishim mungesa të rëndësishme lojtarësh. Madje edhe në ndeshjen e fundit, u dëmtuan 4 lojtarë me nivel të lartë. Nuk kisha lojtarë si Manaj, Gjimshiti, Kumbulla, Laçi. Nuk mund të bëja mrekulli. Duhet të merrni në konsideratë shumë ecurinë time dhe atë që kam bërë. Çfarë duhet të them më shumë. Nëse dikush ndjehet mirë, pse të mos vazhdojë. Jam lodhur nga këto pyetje. Kjo do shikohesh nga presidenti, do ulemi dhe nëse biem dakord, do vazhdoj punën, nëse jo do kthehem andej nga kam ardhur.
Problem mosha? Mosha është çështje mentaliteti. Nëse dikush ndjehet i vjetër është në rregull, por unë nuk e ndjej këtë. Skuadra ka konsideratë për mua. Në ndeshjen e fundit u mërzita shumë, megjithëse djemtë morën përsipër fajin.
Reja u shpreh se Shqipëria vuajti nga mungesat në Ligën e Kombeve, ndërsa për kualifikueset e Europianit, tha se kemi një shans të mirë, por i vetëdijshëm se Polonia dhe Çekia janë favoritë.
Nuk është kjo forca jonë maksimale. Kur ke jashtë 7-8 lojtarë, që konsideroheshin si titullarë, ka probleme. Në Izrael ishim mirë, barazuam, por e pësuam nga një gabim. Pavarësisht dëmtimeve dhe të tjerave, ishim në lartësinë e duhur ndaj të gjitha skuadrave dhe ndoshta meritonim më shumë.
Kualifikueset e Europaianit? Unë do të thoja që kemi një shans të madh për Europian. Polonia është më e fortë se ne. Me Çekinë eksperimentuam në miqësore dhe për pasojë humbëm 3-1. Janë skuadra më të forta se ne. Nëse grupi është i plotë, është e vërtetë që kemi ndonjë mundësi për tu kualifikuar në Europian. Polonia dhe Çekia janë të favorite.
Qëllimi është t’i marrim pikë këtyre dy kundërshtarëve. Përveç Polonisë, me Çekinë mund të luajmë për fitoren.



