Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustrisë deklaroi në studion e emisionit “MCN Economy” se ende në Shqipëri në mbi 40% të sipërfaqes nuk kemi regjistrimin fillestar të pronës, pra nuk ka harta.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Buxhuka tha se ka një përzierje interesash se pse pronat dhe regjistrimi i tyre është lënë në këtë gjendje, duke shtuar se janë harxhuar në total 300 milionë dollarë.
Është e pafalshme që shtyllën kurrizore që janë pronat e kemi përdhe. Pas 30 vitesh ne e kemi në gjendje kaotike. Nuk janë hedhur 40 milionë, por 300 milionë dollarë që nga USAID. Janë hedhur para nga BE, buxheti i shtetit. 40 milionëshi është i fundit. Jemi në një aferë 300 milionë dollarëshe dhe kemi një katastrofë.
Ende në Shqipëri në mbi 40% të sipërfaqes nuk kemi regjistrimin fillestar të pronës, pra nuk kemi harta në 30-40% të pronës. Bëhet fjalë për zona me rëndësi ekonomike, qoftë në bregdet, qoftë në Myzeqe edhe në Tiranë. Kemi situatë kaotike.
Kemi përzierje interesash, pse e kanë lënë në këtë gjendje. Do rendis 4 lloje korrupsioni se pse janë të interesuar ta lënë në këtë gjendje.
E para kaotizmi tek pronat mbulon ndërhyrjet që janë bërë tek titujt e pronësisë. Është pranuar që është ndërhyrë te një numër i madh regjistrash pronash.
E dyta tek dhënia e titujve të pronësisë së re. Këto përdoren si një lloj trysnie indirekt, që unë do ta jap pronën ty por t’ia shesësh dikujt tjetër, e lë të hapur sistemin.
E treta është korrupsioni primitiv, vetë punonjësit duan kaotizëm.
E katërta për të shpenzuar pa fund projekte dixhitale.



