
Kryedemokrati Lulzim Basha, thotë se shqiptarët meritojnë dhe presin një ndryshim rrënjësor të kulturës politike në vend.
Deklarata e tij u dha për Radio Vatikanin, gjatë vizitës së tij në Selinë e Shenjtë.
“Ajo që shqiptarët meritojnë, presin me padurim, është një ndryshim rrënjësor i kulturës politike në vend. Që nga koha kur valët e radio Vatikanit ia dolën pas 4, 5 dekadash, së bashku me valët e Zërit të Amerikës, të radio Londrës, të radios Europa e Lirë, të ndihmonin shqiptarët, të çanin perden e hekurt, e të hiqnin zgjedhën e diktaturës, çka e kremtuam edhe dje, e përkujtuam edhe dje me rastin e 31 vjetorit të rënies të shtatores së diktatorit, rrëzimit të shtatores së diktatorit në Tiranë, Shqipëria ndodhet përsëri në udhëkryq”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati shtoi më tej se prej më shumë se 8 vitesh, nuk hidhen hapa përpara në rrugën e integrimit europian.
Sipas tij, anëtarësimi i vendit në BE, nuk është një proces firmosje letrash, as një proces burokratik, por nënvizoi se është një proces arritje që kryhet përmes reformave, reforma që siç tha ai, kanë mbetur në vend numëro dhe nuk kanë prodhuat rezultatet e duhura.
“Mendoj se kthimi i besimit te politika është sfida më e madhe që kemi. Formimi i besimit te politika si instrument ndryshimi, është e keqja më djallëzore që ka ndodhur në veçanti në dekadën e fundit. Politika nuk është e keqe. Të keqe e bëjnë njerëzit. Të mirë po kështu, e kanë në dorë ta bëjnë njerëzit. Ndaj me vendimet qe kemi marrë, janë vendime të marra nga një trupë e madhe politike e demokrateve, për të ecur përpara drejt së ardhmes. Gjithashtu me disa parime bazë. E para, ti rikthejmë politikës fytyrën njerëzore. Një fytyrë njerëzore, nuk do të thotë thjesht një shprehje figurative, nuk do të thotë thjesht një performancë para mediave, por do të thotë të zgjedhim të promovojmë në lidership, njerëzit që me të vërtetë ndjejnë, përfaqësojnë dhe mbrojnë hallet dhe problemet e njerëzve të thjeshtë. I dyti, ti kthejmë institucionet shqiptarëve”, deklaroi Lulzim Basha.
Lidhur me zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, tha se propozimet e PD, sjellin njerëzit që ata mendojnë se i mirëpërfaqësojnë qytetarët, hallet dhe problemet e tyre.
“Sigurisht sfida shtrihet tej kësaj, shtrihet tek rikthimi i instrumentave demokratike”, tha Basha.



