
Rebecca Baldrige
Asgjë nuk e ndez imagjinatën më shumë se një hero që zgjedh të mbetet anonim. Mjafton të kujtojmë këtu Batman apo edhe artistin e rrugës, Banksy.
Veshja me maskën e anonimatit në botën e financave erdhi përmes Satoshi Nakamotos, i ashtuquajturi babai i Bitcoin. Ai u shfaq në 2008 dhe u zhduk po aq papritur tre vjet më vonë, pasi krijoi kriptomonedhën e parë në botë. Më 23 prill 2011, ai i dërgoi një email lamtumire një zhvilluesi tjetër të Bitcoin. "Po merrem me gjëra të tjera", shkruante ai, duke siguruar se e ardhmja e Bitcoin ishte "në duar të mira". Prej asaj kohe, për të nuk është dëgjuar më asgjë.
Sot, Bitcoin vlerësohet në më shumë se 1 trilion dollarë, dhe ndërsa identiteti i Nakamoto mund të jetë thjesht një çështje spekulimi për disa, do të thotë shumë më tepër për të tjerët: Thuhet se ai zotëron mbi 1 milion Bitcoins me një vlerë aktuale që shkon diku rreth 60 miliardë dollarë. Kjo është e barabartë me rreth 5 për qind të numrit të përgjithshëm të bitcoin-ve aktualisht në qarkullim.
Nëse personi - ose personat - prapa emrit Satoshi Nakamoto vendosin të shesin vetëm një pjesë të këtij thesari, transaksioni do të përmbysë plotësisht tregun e kriptomonedhës. Platforma tregtare e kriptomonedhës Coinbase, e cila u bë publike në Nasdaq më 14 prill, vuri në dukje zbulimin e mundshëm të identitetit të Nakamoto (dhe lëvizjen e zotërimeve të Bitcoin të atij personi) si një faktor rreziku në paraqitjen e IPO -s në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim (SEC). Coinbase madje shkoi aq larg sa që dërgoi një kopje të dosjes në adresën e fundit të emailit të njohur për Nakamoton.
Gjithnjë e më shumë, gjigantët e shërbimeve financiare si BlackRock, JPMorgan dhe BNY Mellon po ofrojnë kriptovaluta dhe shërbime të ngjashme për klientët e tyre, duke shtuar legjitimitetin e një pasurie që Charlie Munger e Berkshire Hathaëay dikur e karakterizonte si "në kundërshtim me interesat e qytetërimit".
Bitcoin erdhi në jetë kur Nakamoto prezantoi për herë të parë përshkrimin e një monedhe dixhitale që do të lejonte transaksione të sigurta, pa ndërhyrje, pa përfshirjen e ndonjë ndërmjetësi, qoftë qeveri, sistem financiar apo një kompani. Këto transaksione do të gjurmoheshin përmes një blockchain-i, një libër llogarish si ato të përdorura nga çdo institucion financiar, me përjashtim të faktit që ky libër do të shpërndahej përmes një rrjeti, me dublikata të sakta të mbajtura nga të gjithë pjesëmarrësit dhe të dukshëm për të gjithë, të siguruar me mjete kriptografike. Dhe Bitcoin nuk do ta kalonte kurrë numrin 21 milionë.
Nakamoto e krijoi kriptovalutën me qëllimin për ta hequr kontrollin e monedhës nga elitat financiare dhe për ta vënë atë në duart e njerëzve të zakonshëm. Transaksioni i parë me Bitcoin ishte ai i Nakamotos drejt Hal Finney, një zhvillues i mirënjohur i cili kishte shkarkuar softuerin Bitcoin në datën e lëshimit të tij. Nakamoto i nisi atij 10 Bitcoin. Transaksioni i parë tregtar erdhi në vitin 2010, kur një programues i quajtur Laszlo Hanyecz i bleu vetes dy pica Papa John për 10 000 Bitcoin. Me çmimin aktual të Bitcoin prej gati 60 000 dollarë, ato ishin pica shumë të shtrenjta.
Bitcoin është me burim të hapur, që do të thotë se dizajni i tij është publik. Asnjë person nuk e zotëron ose kontrollon Bitcoin, dhe çdokush mund të marrë pjesë në të. Ndërsa Satoshi vijoi të kontrollonte zhvillimin e Bitcoin, përdoruesit dhe zhvilluesit u mblodhën në forume Bitcoin për të kontribuar me kodin dhe punën në projekt, i cili ishte bërë një përpjekje bashkëpunuese. Përdoruesit që drejtonin softuerin Bitcoin ishin autoriteti përfundimtar.
Shumë programues dhe zhvillues kanë shkruar kod për Bitcoin, por Gavin Andresen ishte një nga më entuziastët. Ai iu afrua Nakamotos në 2010 dhe u bë krahu i tij i djathtë. Kur Nakamoto u tërhoq nga “skena”, ai e la Bitcoin në duart e Andresen. Sot, edhe vetë Andresen është bërë më i rezervuar: Ai nuk shërben më si "ruajtës kryesor" i kodit të Bitcoin; në fakt, ai rol shumë shpejt u bë aq i decentralizuar sa vetë kriptomonedha.
Gjatë gjithë historisë së Bitcoin, përpjekjet për të zbuluar Nakamoton kanë vijuar pa u ndalur. Thashethemet në forumet e kriptomonedhës janë kthyer në spekulime të çuditshme: Nakamoto është një anëtar i Yakuza, pjesë e një grupi zhvilluesish, një pastrues parash ose ndoshta edhe një grua.
Në vitin 2014, një reporter nga Newsweek e identifikoi 70-vjeçarin Dorian Nakamoto, një banor paqësor i Los Angelesit, si krijuesi i Bitcoin. Ndërsa karriera e tij e gjatë në inxhinieri u përmend si dëshmi, Nakamoto ka mohuar me forcë çdo përfshirje me kriptomonedhën. Një ditë pasi Dorian Nakamoto lëshoi një deklaratë publike, Satoshi u shfaq në një forum online. "Unë nuk jam Dorian Nakamoto" ishte postimi i tij, para se të zhdukej edhe një herë.
Në vitin 2016, australiani Craig Wright pretendoi se ishte ai Nakamoto. Zhvilluesi i Bitcoin, Andresen, e mbështeti deklaratën, duke thënë se ishte "98 për qind i sigurt" se Wright ishte Satoshi i pakapshëm. Komuniteti i kriptomonedhës nuk mendonte njësoj dhe Wright u tërhoq nga pretendimi.
Dyshimet ranë edhe mbi Nick Szabo, një ekspert i fshehtë i kriptove i cili kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e Bitcoin. Studiuesit gjuhësorë analizuan shkrimet e Szabos, si dhe shkrimet nga Satoshit dhe të tjerëve që dyshoheshin se mund të ishin ai. Gjuhëtarët pohuan se kishte ngjashmëri midis shkrimeve të Szabos dhe atyre të Satoshi Nakamotos. "New York Times" madje shkoi aq larg sa që e cilësoi Szabon si një Nakamoto në hije, por Szabo i mohoi ashpër këto pretendime.
Përfundimisht, Satoshi Nakamoto mbetet anonim, një krijesë mitike me një grumbull Bitcoinesh të përmasave epike. Ai ka arsye të forta për të mbetur anonim. Të kesh një pasuri prej 60 miliardë dollarësh e bën sigurinë personale një shqetësim bindës. Duke pasur parasysh potencialin e Bitcoin për të sfiduar monedhat sovrane, Nakomoto mund t’u frikësohet veprimeve të mundshme ligjore që mund të ndërmarrin qeveritë - nëse nuk vendosin sanksione te formave të tjera.
Pa dyshim, përpjekjet për të zbuluar identitetin e Satoshi Nakamoto do të vazhdojnë. Kërcënimi që ai paraqet për tregun e kriptomonedhës është shumë i madh dhe misteri që rrethon identitetin e tij është i madh. Në një botë ku anonimati është gjithnjë e më i vështirë për t’u ruajtur, Satoshi Nakamoto ka arritur t’i ruajë sekretet e tij përtej imagjinatës së çdonjërit prej nesh.



