Kreu i grupit parlamentar socialist Niko Peleshi, nga seanca e sotme parlamentare i bëri thirrje opozitës që të ndajnë mendjen se çfarë raporti do të vendoset me drejtësinë, nëse do pranohet ose jo.
Lidhur me vendimin e Gjykatës Administrative për 23 deputetët që dogjën karriget në oborrin e Kuvendit, duke i rikthyer në seancë, ai tha se merr kompetencat e organeve kolegjiale të Kuvendit.
Ai kërkoi vijimin normal të punimeve të Kuvendit, duke thënë se buxheti i vitit që vjen është fusha e betejës për të dy palët.
Ju dogjët karriget e parlamentit dhe sot për shkak të një vendimi gjykate, jeni sot këtu.
Gjykata Administrative merr atributet e organeve të Kuvendit.
Nuk mund të ndërhyjë Gjykata Administrative në vendimet e organeve kolegjiale të Kuvendit.
Mund të mos jetë i drejtë ky vendim gjykate, por duhet të ndjekim standardet dhe procedurën dhe të mos djegim karriget.
Precedenti që një Gjykatë Administrative merr atributet e organeve të Kuvendit dhe vendos, ne nuk jemi dakord, por kjo nuk do iu thotë që mbyllim derën dhe djegim karrigen.
Ne jemi për normalitet dhe procedurë, procedura duhet të rrjedhë për të mirën e përbashkët.
Duhet të vazhdojmë punën tonë sepse jemi në pjesën më të rëndësishme të punës së Kuvendit, në pjesën e buxhetit.
Ju bëj kërkesë që ta lëmë diskutimin e masave disiplinore se është pa sens dhe të vazhdojmë me diskutimet e rendit të ditës për buxhetin.
Ju sot shkundni vendimin e gjykatës, vendimi i ka quajtur të drejta masat disiplinore, por ka ndryshuar datat.
Ka bërë një gjykim të gabuar, se ka hyrë në një territor që nuk i takon, por kjo nuk do të thotë që të digjni karriget dhe të prishim normalitetin e Kuvendit.
Ndaj ftesa ime është që t’i kthehemi normalitetit. Buxheti është fusha e betejës për të dy palët dhe për mazhorancën dhe për opozitën.



