Nga kjo e hënë, Gjermania bëhet vendi më i madh në Bashkimin Evropian që legalizon kanabisin rekreativ. Ligji parashikon se të rriturit mbi 18 vjeç tani lejohen të mbajnë deri në 25 gramë kanabis për konsum vetjak si dhe të kultivojnë deri në tre bimë marihuane në shtëpi. Sipas ligjit, kanabisi është i ndaluar të përdoret nën 18 vjeç dhe në perimetrin prej 100 metrash afër shkollave, kopshteve dhe këndeve të lojërave.
“Në shumë qytete të Gjermanisë, sipërmarrësit kanë aplikuar për të marrë lejet për të çelur klubet ku konsumohet kanabis. Ligji do të plotësohet me akte të tjera ndihmëse për këto sipërmarrje deri më datën 1 korrik. Deri atëherë, konsumatorët e kanabisit, nëse ndalohen nga policia për kontroll rutinë, nuk duhet të tregojnë se ku e blejnë kanabisin e tyre”, tha kreu i Shoqatës gjermane të kanabisit, Georg Vurth.
Qeveria gjermane thotë se arsyeja kryesore e legalizimit të kanabisit është se do të ndihmojë në frenimin e tregut të zi në rritje, duke sjellë luftën ndaj grupeve kriminale dhe kontrollin e përdorimit të substancës për të rinjtë dhe më gjerë.
Ndërkohë, mjekët kanë qenë në masë të madhe kundër, duke ngritur shqetësimin se legalizimi do të çojë në rritje të përdorimit dhe kjo substancë është më e rrezikshme se duhani, pavarësisht reklamës që i bëhet. Sipas tyre, përdorimi i kanabisit tek të rinjtë mund të ndikojë në sistemin nervor qendror, duke çuar në rrezik të shtuar të zhvillimit të psikozave dhe skizofrenisë. Opozita konservatore ka premtuar se do ta shfuqizojë ligjin sapo të vijë në pushtet.



