GJKKO ka shtyrë për më 11 korrik, ora 10:00, seancën për informacion 2 mujor të kreut të PD Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Mësohet se arsyeja e shtyrjes së seancës ishte mosmarrja e njoftimit nga Berisha dhe Malltezi.
Në një raportim për MCN Live gazetari Arsen Rusta bën me dije:
“Avokati Genc Gjokutaj ka deklaruar se në mënyrë permanente ata janë të vendosur për të kërkuar ndryshimin e masën e sigurisë. Edhe pse zyrtarisht s’është komunikuar, Mcn Live ka mundur të mësojë se Prokuroria e Posaçme do të zgjasë hetimet për aferën e klubit ‘Partizani’, ku është nën hetim ish-kryeministri Berisha së bashku me dhëndrin, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, dhe të zgjedhurve dhe funksionarëve publikë. Seanca është shtyrë për shkak se fletë-thirrjet kanë qenë tej afatit, siç ka deklaruar avokati Gjokutaj”.
Genc Gjokutaj, duke folur për mediat tha:
“Afatin ata e kanë 6-mujor. Në 11 ora 10:00 është caktuar seanca pasardhëse. S’jemi vënë në dijeni. Këta nuk vënë në dijeni më para por veprojnë si kokë autonome, dhe veprojnë si të duan në bazë të direktivës”.



