
Festa e Krishtlindjeve sjell një atmosferë që ndihet anekënd botës.
Në mesnatë besimtarët e krishterë në Tiranë kanë mbajtur meshën që simbolizon lindjen e Krishtit.

Mesha e ‘Vigjiljes së Krishtit’ u mbajt në Katedralen e Shën Palit. Mesha nisi në orën 23:00 dhe u ndoq nga mijëra besimtarë.
Kreu i kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës Arjan Dodaj drejtoi meshën për besimtarët katolikë. Ai përcolli edhe mesazhin e tij për të gjithë besimtarët.
Duke theksuar se ky vit Jubile është cilësuar si vit i shpresës, Dodaj tha se shoqëria duhet të përqendrohet te edukimi i brezave të tij.
Sot ripërsëritet fjala plot shpresë e Zotit: Ka lindur për ne një shpëtimtar. Jo abstrakt, por i imi dhe yti.
Ka lindur Krishti që shpëton, sepse ka ardhur për të shpëtuar popullin e tij dhe populli i Zotit je ti, jemi ne.
Kemi nevojë t’i edukojmë brezat e ri tek shpresa, sepse janë të shpërqendruar nga gjërat e kota, nuk dinë të shohin gjërat e bukura. Kush nuk ka shpresë nuk ka familje, nuk jeton në rrjet, nuk është online me dashurinë me fenë e Zotin.
Lindja e Jezu Krishtit u kremtua me atmosferë festive e mesha në të gjitha qytetet e vendit. Mesha në mesnatë janë mbajtur edhe në kisha e tjera katolike, të shpërndara në 6 dioqezat e vendit.



