
Maxhoranca ka miratuar projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, pavarësisht kundërshtimit të fortë të artistëve në protestën para Kuvendit dhe tensioneve në sallë. Ligji është miratuar me 75 vota pro, pas një seance të gjatë dhe plot debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Opozita bllokoi foltoren e Kuvendit, pas thirrjes që bëri kryetari i grupit të PD-së, Edmond Spaho.
Deputetët e opozitës mbanin kartonat e kuq dhe një parullë: Unë jam Teatri! Pavarësisht se një pjesë të tyre i hodhën në drejtim të kabinetit qeveritar, kjo nuk e pengoi procedurën e votimit.
Në votim mungonte Ministri Pandeli Majko,ndërsa dy deputetë të PDIU-së votuan pro.
PD dhe LSI e bojkotuan sallën, pa marrë pjesë në votim.
Me votimin në Parlament, ligji i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës të negociojë me kompaninë “FUSHA sh.p.k”, për projektin e zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e godinës së re.
Ndryshimet që i janë bërë draftit fillestar të propozuar në qershor kanë të bëjnë me përfshirjen e artistëve në grupin negociator, që do të negociojnë me firmën private për ndërtimin e teatrit, si dhe hyrje në fuqi të kontratës, pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.



