
Deputetja e PD Ina Zhupa në një intervistë për MCN TV jashtë godinës së Kuvendit, tha se kryeministri Rama sot nuk u dha përgjigje pyetjeve në akt-akuzën amerikane mbi çështjen “McGonigal”.
Zhupa tha se Rama “doli me bisht ndër shalë” nga Kuvendi, duke recituar një lumë fyerjeje ndaj opozitës dhe qytetarëve.
Megjithatë ajo vë në dukje se kryeministri për herë të parë pranoi se akt-akuza është e vërtetë.
Siç e patë, pasi kishte munguar 2 muaj në Parlament, erdhi për të mos folur, për të ikur më me turp se sa hyri, siç thotë populli ‘doli me bisht ndër shalë’ sepse nuk u dha përgjigje asnjë nga pyetjeve që i kishte ngritur akt-akuza amerikane! U mjaftua të recitonte një lumë me fyerje për opozitën, dhe qytetarët shqiptarë, lexoi disa pika anglisht të cila s’u dha përgjigje. Ai pranoi sot për herë të parë se akt-akuza është e vërtetë. Ajo s’është recitim, është e vërtetë. Ajo që ne themi ka ndodhur, Edi Rama ka shpërdoruar detyrën dhe po përfiton nga imuniteti si kryeministër për të mos u hetuar nga drejtësia amerikane. Unë jam e bindur që ka shumë më tepër se sa kaq.
Ne insistojmë në një hetim të plotë, në një hetim parlamentar nga komisioni hetimor, por edhe nga drejtësia, që sot s’mund të bëjë sikur s’ekziston, por të fitojë hetimin menjëherë në bazë të aktakuzës së drejtësisë amerikane. Nuk ekziston koncepti i pezullimit të ligjit, është në fuqi ose s’është në fuqi. Kjo mazhorancë s’mund të shpikë një shtet të së drejtës socialist, por është një shtet i të drejtës ku pushtet janë të ndara. Ata edhe mund ta rrëzojnë, por do jetë Gjykata Kushtetuese që do t’i detyrojë ta ngrenë”.
Lidhur me protestën e opozitës që do të mbahet nesër para Kryeministrisë, Zhupa tha:
Nesër është një protestë kombëtare, në vazhdimësi të protestave që opozita ka organizuar, është kundër keqqeverisjes, kundër Edi Ramës, për të mbrojtur demokracinë, pluralizmin politik, për të denoncuar këtë masakër që u kanë bërë shqiptarëve. Protesta do jetë në orën 12:00 para Kryeministrisë. Ju do ta shikoni vetë se si shqiptarët do të jenë atje për të shprehur revoltën tyre”.
E pyetur mbi vendimin që pritet të marrë Gjykata e Apelit mbi vulën në PD, Zhupa theksoi se “nuk ka gjykatë apo gjykatës që mund të ndryshojë realitetit, që të thotë që vula e PD-së si takon PD-së!”.



