
Tensioni mes Izraelit dhe Palestinës pas vendimit të administratës “Trump” ka sjellë përplasje mes dy palëve ditët e fundit. Një izraelit është qëlluar me thikë në një stacion autobusi në Jeruzalem. I plagosuri është një roje sigurie, 25 vjeç. Ai ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa agresori u arrestua.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi SHBA-të vendosën të njohin Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit, çka u pasua me reagime kundërshtuese nga krerë të shteteve të ndryshme të botës, ndërsa palestinezët nisën protestat.
Këto të fundit vijojnë edhe sot në Çisjordani dhe në kufi me Rripin e Gazës. Sipas televizionit izraelit, incidente të kësaj natyre ka pasur edhe në afërsi të Betlehemit dhe Hebronit. Në Tekoa, një zonë jo shumë larg nga Betlehemi, një izraelite është plagosur me gurë nga një grup palestinezësh, ndërsa udhëtonte me makinë.
Ministri palestinez i Shëndetësisë ka raportuar për rreth 1250 të plagosur në vendin e tij. Sipas tij, 150 janë plagosur me “municione të vërteta”.
Ndërkohë, agjencia shtetërore palestineze, Wafa, flet për përplasje edhe në kampusin e Universitetit të Hebronit.
“Dhjetëra studentë janë helmuar me gaz lotsjellës të hedhur nga forcat pushtuese izraelite”, raporton kjo agjenci.
Sipas saj, ky incident ka ndodhur në momentin kur ushtria “pengoi studentët të organizonin një marshim në rrugën Al-Quds Al-Khalil ". / ANSA / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



