Nga tetori Gjermania mund të rikthejë detyrimin për mbajtjen e maskave në hapësirat publike të mbyllura, si një masë për t’u mbrojtur nga vala e mundshme e Covid-19 që pritet në vjeshtë.
Masa e re do t’i bashkëngjitej detyrimit në fuqi që prek mjetet e transportit publik si tramvajet, autobusët, trenat dhe avionët.
Gjithashtu do të ketë një kërkesë të re për maska dhe teste në spitale dhe qendra të kujdesit shëndetësor. Këtë e parashikon drafti i fundit për ligjin për mbrojtjen nga infeksionet, i shpallur bashkërisht nga ministritë e shëndetësisë dhe të drejtësisë.
Drafti pritet të zyrtarizohet nga qeveria dhe të miratohet në Parlament.
Nëse marrin dritën e gjelbër masat do të hyjnë në fuqi nga 1 tetori 2022 deri më 7 prill 2023.



