Prej më shumë se 5 vitesh sistemi i drejtësisë në Shqipëri është në reformim dhe më tepër se gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të certifikuar me vetting.
Por kjo situatë duket se ende nuk ka bindur politikën se magjistratët mund të hetojnë dosje të forta siç konsiderohet edhe ajo e vrasjes së një nga katër protestuesve të 21 Janar 2011, përkatësisht të ndjerit Aleks Nika.
Në 13 vjetorin e përkujtimit të këtij krimi dhe në mandatin e tretë të qeverisë Rama, Kryeministri dhe vetë Ministri i drejtësisë hodhën akuza për prokurorinë e Tiranës si një institucion që frikësohet të hetojë ish zyrtarët që urdhëruan vrasjet.
Por çfarë ndodh Juridikisht më këtë dosje?
Pas kallëzimit që Ministri Manja bëri në SPAK më 21 Janar 2023, Prokuroria e Posaçme vendosi duke njoftuar palët dhe publikun se kjo çështje nuk ishte kompetencë e tyre.
Emisioni FactCheck risjell përgjigjen e firmosur nga z.Dumani më 24 shkurt 2023 ku ndër të tjera thuhet “Për këtë arsye, referuar nenit 75/a, 76 dhe 28 te K.Pr.Penale ju përcjellim për kompetencë lëndore materialin kallëzues me nr. K.137 prot., date 16.02.2023, me qëllim vlerësimi nga ana juaj. Nëse në vijim të verifikimeve apo hetimeve, do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, atëherë aktet e procedimit penal të dërgohen për kompetencë lëndore në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar dhe nenit 28 të Kodit të Procedurës Penale”.
Këtë vendimmarrje të kreut të SPAK e kanë kundërshtuar në gjykatën e lartë familjarët e Aleks Nikës dhe avokati i tyre.
Ata nëpërmjet një rekursi kërkojnë që çështja ti hiqet prokurorisë së Tiranës dhe ti kaloj SPAK i cili më 24 shkurt 2023 refuzoi ta marrë si hetim e po ashtu ta regjistrojë si kallëzim penal.
E teksa politika nuk rezervoi akuzat, prokuroria e Tiranës zgjodhi ti përgjigjet nëpërmjet një kronologjie interesit publik dhe palëve nga mos administrimi i audio përgjimit deri tek letër porosia dërguar jashtë.
Sipas këtij institucioni çështja është në hetim dhe ata janë në pritje të një ekspertize nga partnerët.
Me qëllim deponimin e provës materiale, kasetë audio, sipas kërkesave procedurale ligjore është pyetur shtetasi Artan Hoxha, me detyrë gazetar, si edhe familjarët e viktimës Aleks Nika, të cilët sipas shtetasit Artan Hoxha, disponojnë materialin audio.
Por në deklarimet e dhëna prej tyre është evidentuar se ky material nuk do të dorëzohej në funksion të hetimeve që zhvillon Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, por para Strukturës së Posaçme Anti- Korrupsion, në momentin që ky procedim do të hetohet prej tyre.
Në funksion të hetimeve të zhvilluara prej prokurorit është vendosur të bëhet vlerësimi dhe ekspertimi i provave të sekuestruara gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe këqyrjes së viktimës, duke iu drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, prej të cilëve për shkak të sensibilitetit dhe natyrës së çështjes është kërkuar konfidencialitet.
Duke kujtuar respektimin e garancive të një procesi që është në hetim, bëjmë me dije se gjatë hetimeve që do të kryhen do të mbahen parasysh edhe aktet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që kanë lidhje me këtë procedim penal.



