
Mijëra amerikanë përkujtuan këtë fundjavë 60-vjetorin e Marshimit në Uashington kundër racizmit ndërsa u përkujtua edhe figura e Martin Luther King. Në kryeqytetin amerikan u mblodhën më shumë se 250 mijë vetë, në vitin 1963, për të protestuar kundër racizmit ndërsa fjalimi me titull “Unë kam një ëndërr” cilësohet ndër më të rëndësishmit që i hapi rrugë shumë zhvillimeve në SHBA.
Këtë fundjavë, shumë grupe të të drejtave civile në Amerikë përkujtuan në Memorialin Lincoln thirrjen e pastorit Martin Luter King Xhunior për dinjitet të barabartë mes çdo qënieje njerëzore. Për shumë nga pjesëmarrësit, Amerika ende ka probleme me diskriminimin racor.
Ndryshe nga problemet me të drejtat civile në vitin 1963, këtë fundjavë fokus të rëndësishëm kishin fjalimet për komunitetin LGBT.
Të hënën, presidenti Joe Biden dhe Zëvendës Presidentja Kamala Harris do ta përkujtojnë këtë ngjarje në Shtëpinë e Bardhë. Familja King, ndër aktivistë të tjerë, janë ftuar nga presidenti Biden.



